Pastori amerikan mbërrin në SHBA, takohet me Trump

schedule22:59 - 13 Tetor, 2018

schedule 22:59 - 13 Tetor, 2018

Pastori amerikan Endriu Branson ka mbërritur të shtunën në Uashington, ku është pritur në një takim nga presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në fjalën e tij, Trump ka deklaruar se lirimi i Branson hap një epokë të re marrëdhëniesh të shkëlqyera me Turqinë.

Një ditë pas lirimit, pastori amerikan Endriu Branson ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara ku është pritur në një takim nga presidenti Donald Trump. Branson është shfaqur në dhomën Ovale përkrah kreut të shtetit, i cili ka falenderuar homologun turk Recep Taip Erdogan për ndihmën e dhënë në zgjidhjen e çështjes. Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara punuan shumë për të siguruar lirimin e Branson. Ai i tha pastorit se me qëndresën dhe besimin e tij i dha forcë Amerikës. Nga ana e tij, pastori falenderoi presidentin Trump dhe administratën e tij dhe pastaj bëri një lutje së bashku me të. Branson u tha gazetarëve se tani, ai dhe bashkëshortja dëshirojnë të kalojnë momente me fëmijët e tyre.

Të premten, një gjykatë turke e dënoi pastorin evangjelist me 3 vjet burg, por e liroi për shkak të kohës që ai kishte kaluar në gjendje burgimi gjatë procesit. Branson u arrestua për lidhje me grupet që ndihmuan në grushtin e shtetit të vitit 2016. Akuzat për spiunazh që rëndonin ndaj tij u rrëzuan. Presidenti Trump e cilësoi lirimin një “hap madhor” drejt një marrëdhënieje të shkëlqyer me Turqinë. Ai tha se, me Ankaranë nuk është bërë një marrëveshje, por nënvizoi se do të rishikojë sanksionet e forta të vendosura ndaj vendit tani që Branson u lirua. Një reagim lidhur me çështjen erdhi të shtunën edhe nga presidenti Erdogan, i cili tha se Branson nuk u lirua në kuadër të një marrëveshjeje, por e liroi drejtësia turke./abcnews.al