Fiton Shkumbini dhe ngec Sopoti në grupin A të Kategorisë së Dytë, ndërsa në grupin B nuk gabojnë ekipet e kreut. Skuadra nga Peqini mposhti 3-0 Ilirinë dhe e ka dërguar në pesë pikë diferencën me Sopotin e vendit të dytë.
Lamçja, Barbosa dhe Sulkja shënuan golat e fitores për Shkumbinin, që siguroi zyrtarisht rikthimin në Kategorinë e Parë. Sopoti nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 në fushën e Luzit. Edhe pse kaloi në avantazh të dyfishtë falë golave të Mziut dhe Çotës, ekipi nga Librazhdi mori vetëm një pikë.
Vendasit evituan humbjen falë realizimeve të Myslimit dhe Takut në minutat e fundit të ndeshjes. Vendi i tretë për Tërbunin që fitoi 2-0 në shtëpi kundër Gramshit. Keko dhe Miloti shënuan golat e fitores për ekipin pukjan.
I njëjti rezultat u regjistrua edhe në përballjen Valbona-Klosi. Neziraj dhe Patarria realizuan në pjesën e dytë golat e fitore për skuadrën tropojane. Dueli me më shumë gola ishte ai mes Mirditës dhe Bulqizës. Ekipi mik mori tre pikët pas suksesit 2-4.
Në grupin B është më e fortë gara për vendin e parë. Maliqi fitoi 0-3 në Memaliaj falë golave të Kames (2x) dhe Dervishit. Vendi i parë me 60 pikë për ekipin juglindor, një më shumë se Butrinti ndjekës (ka luajtur një ndeshje më shumë).
Skuadra sarandiote fitoi me vështirësi 1-0 ndaj Naftëtarit. Golin e fitores për vendasit e shënoi Llojaj nëntë minuta përpara fundit të takimit. Në vend të tretë Labëria, që shkatërroi 6-1 Skraparin. Shumë gola edhe në Përmet, aty ku vendasit mposhtën 3-2 Devollin.
Tre pikë mori edhe Tepelena pas triumfit 1-3 në fushën e Këlcyrës, ndërsa dueli Albpetrol-Gramozi përfundoi pa fitues. Mydini kaloi miqtë në avantazh, por ekipi nga Patosi evitoi humbjen falë golit të Ballës në minutën e fundit. /abcnews.al