Punimet në stadiumit e Kukësit vazhdojnë. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka inspektuar sot punimet në qytetin verior dhe është surprizuar për mirë. Stadiumi pritet të inaugurohet në muajin shtator, objektiv që kreu i futbollit shqiptar e konfirmon në prononcimin për mediat.
“Në ritmet që kemi pritur jo, por asgjë nuk është në ritmet që kishim menduar përpara pandemisë. Kemi kaluar një kohë të pazakontë dhe krahasimisht me periudhën dhe kohën, realisht jam i surprizuar nga niveli i punimeve, pasi mendoja se pandemia do të pengonte më shumë.
Nuk ka penguar vetëm kompaninë, na ka penguar edhe ne në pikëpamjen financiare. Kemi pasur vështirësi për të financuar kompaninë, kemi pasur objektiv ta mbarojmë stadiumin më shpejt, por tashmë kemi një objektiv të ri.
Në shtator ta inaugurojmë stadiumin dhe të zhvillojmë ndeshje me ekipin e Kukësit këtu. Jemi me fat, sepse kemi zotin Gjici, i cili është president dhe kryetar i Bashkisë. Ai mendon akoma më shumë për futbollin, por duke e pasur nga radhët tona kryetarin, vëmendja është akoma më e madhe.
Së bashku me kryetarin do të ndërtojmë një infrastrukturë të plotë, një projekt zhvillimi për futbollin në Kukës, jo thjesht një stadium për të bërë gara. Gjithashtu edhe me ambientet përpara, parkimin dhe të gjithë gjërat.
Mendoj se është përtej ëndrrave tona më të mirë ky stadium. Rikthimi i tifozëve në stadium? Dëshira e futbollistëve dhe çdo njeriu që merret me sport, është të ketë spektatorë. Jo vetëm për të marrë mbështetje dhe për të ndihmuar financat e tij, por për të ndikuar në jetën shoqërore të vendit.
Por duke marrë parasysh që shëndeti mbi të gjitha, ne nuk mund të insistojmë që ne duhet të kemi tifozë. Janë ata që vendosin rregullat dhe protokollet, dhe që përgjigjen për ruajtjen e shëndetit tonë.
Ne tentojmë një ditë e më parë të kemi tifozë, por specialistët dhe mjekët, të cilët i falënderoj për ndihmën që na kanë dhënë në këtë periudhë të vështirë, duhet të bëjnë edhe ata detyrën e tyre.
Ditët e fundit grafiku i infektimit ka rënë, jemi më pak nën kanosjen e virusit, vaksinimi po vazhdon. Të paktën të urojmë dhe të shpresojmë që në shtatori të jemi me kapacitet të plotë në stadiume dhe në çdo aktivitet të jetës tonë“, përfundoi Armand Duka. /abcnews.al