Një ngjarje e rëndë ndodhi mesditën e sotme në Elbasan, ku 58-vjeçari Koço Buzo ka vrarë me automatik bashkëshorten e tij Liliana Buzo, ndërsa plumbat kanë plagosur edhe avokatin si edhe një kalimtar të rastit me inicialet A.K.
Tre prej plumbave kanë goditur Liliana Buzon, kurse katër të tjerët kanë plagosur avokatin si edhe kalimtarin e rastit.
“Mes bashkëshortes Liljana Buzo dhe Koço Buzos ka patur një proces divorci në gjykatën e Elbasanit. Pasi kanë dalë nga gjykata, Koço Buzo, ish-punonjës policie ka shkuar ka marrë një armë tip kallashnikov duke e vrarë në vend. Po ashtu kanë mbetur të plagosur një punonjës policie dhe avokati Gëzim Toçila që dyshohet se ka qenë avokati i gruas së vrarë në këtë proces divorci. Pas ngjarjes, Koço Buzo është arrestuar në kohë rekord nga policia”, raporton gazetari Aldo Kozarja për abcnews.al.
Divorci
Mësohet se çifti ishte në një proces divorci dhe gjatë mëngjesit të sotëm Koço Buzo i kishte kërkuar bashkëshortes që të mos shkonte në gjykatë, por ajo nuk ka pranuar duke vijuar me procesin e divorcit bashkë me avokatin e saj.
Fill pasi Liliana Buzo ka dalë nga gjykata, ai që ishte duke i pritur aty, ka nxjerrë armën duke e ekzekutuar në vend.
Ngjarja ndodhi në një zonë tepër të banuar në Elbasan, ndërsa autori ka qenë më parë punonjës policie në qytet.
Abcnews.al mëson se çifti ka tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Fëmija më i madh është 26 vjeç, kurse dy të tjerët, 20 dhe 18 vjeç. /abcnews.al