Ballkan/ Ballë për ballë: Presidentët dhe kryeministrat e Ballkanit

schedule20:21 - 5 Maj, 2021

schedule 20:21 - 5 Maj, 2021

Nga Linda Karadaku

Marrëdhëniet midis kryeministrave dhe presidentëve në vendet e Ballkanit, kanë qenë përgjithësisht problematike, veçanërisht duke pasur parasysh se vinin në shumicën e kohës nga parti të ndryshme. Fakti që në disa vende si në Kroaci, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut apo Serbi, presidenti zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë nga parlamenti, nuk ka bërë që këto marrëdhënie të jenë më të mira dhe nuk i ka shpëtuar këto vende nga tensionet dhe krizat e herë-pas-hershme. Përjashtim bën Serbia, në të cilën presidenti Vucic dhe kryeministrja Brnabic vijnë nga e njëjta parti dhe përulësia e kryeministres ndaj presidentit, ka bërë që të jetë objekt i memeve dhe talljeve në rrjetet sociale.

Në Kosovë, ishte dhe është e qartë se ka një animozitet pa kompromis midis kryeministrit Albin Kurti dhe ish-presidentit Hashim Thaci, i cili gjendet në Hagë, i akuzuar për krime lufte. Armiqësia mes tyre ka vazhduar njësoj, si në kohën kur Kurti dhe Vetëvendosja ishte në opozitë, edhe në kohën kur ishin në pushtet, me një shumicë dërrmuese. Kanë qenë kundërshtarë në të gjitha proceset e shtetformimit në të cilat ka kaluar Kosova, marrëvëshja e Rambujesë, bisedimet e Vjenës, plani Ahtisaari, bisedimet dhe dialogu me Serbinë. Madje, edhe për shpalljen ose jo të gjendjes së jashtëzakonshme në kohën e pandemisë nga kovid 19.

Kurti do të deklaronte këtë vit se ish-presidenti dëshironte të shpallte gjendje emergjente dhe dëshironte të merrte kompetencat e drejtimit të shtetit në dorën e tij. “Ai dëshironte fuqi për të shndërruar Kosovën nga Republikë Parlamentare në Republikë Presidenciale. Ai mendoi se është mbret, imagjino sikur Mbretëresha Elizabeta t’i bëjë thirrje policisë në Britani për të mos u bindur urdhrave të kryeministrit Johnson”, kishte deklaruar Kurti. Edhe në lidhje me reciprocitetin me Serbinë apo marrëdhëniet me evropianët dhe amerikanët, do të ishin kundërshtarë.

“Unë nuk them pa amerikanët, por presidenti po thotë pa evropianët. Ne nuk jemi të hapur për një gjë të tillë, është e papranueshme”, pati deklaruar Albin Kurti. Dhe për ti cuar këto marrëdhënie në nivele edhe më të ulëta, duke prekur fundin, kryeministri do ta quante presidentin në atë kohë “noter shtetëror i cili nuk është një nga shtyllat e pushtetit.”

Por as presidenti nuk do ta linte mangët përgjigjen. “Kryeministër më të dobët dhe më të paditur s’ka pasur ky vend”, do të deklaronte Thaci, duke komentuar se askund në botë kryeministri nuk organizon protesta kundër institucioneve në të cilat është vetë brenda.

Madje, Hashim Thaçi bën të qartë se Kurti kishte ardhur në pushtet me yryshin për shkarkimin e presidentit. Përplasen edhe për marrëdhëniet me Shqipërinë. Thaçi kritikon ashpër masat e vendosura nga qeveria “Kurti” në kufi me Shqipërinë gjatë pandemisë, duke thënë se këto masa ndaj Shqipërisë ishin marrë në një kohë kur kufiri me Serbinë ishte i hapur plotësisht. “Hapet me Serbinë dhe e mbyll Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë. Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar!”, deklaronte presidenti i kohës.

Edhe në Maqedoninë e Veriut, marrëdhëniet midis presidentit Gjorgje Ivanov dhe kryeministrit Zoran Zaev, nuk ishin aspak më të mira. Ivanov u bë president ne baze te strategjise se VMRO-DPMNE dhe ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Nga te gjithe presidentet e Maqedonise së Veriut, ishte më kritiku ndaj Perendimit, perfshi NATO dhe BE dhe ishte destruktiv në marrëdhëniet me shqiptarët, duke u përpjekur të pengonte zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, sic ishte rasti i ligjit për gjuhët. “Vendimi i presidentit Gjorge Ivanov për të mos dekretuar ligjin për gjuhët është jo vetëm shkelje flagrante e Kushtetutës, por edhe burracakëri,” do të deklaronte Zaev, duke theksuar se kjo ishte shkelje flagrante e Kushtetutës së Maqedonisë. Marrëdhëniet mes tij dhe Zaev ishin konfliktuale dhe shkuan deri tani sa ai refuzonte t’i jepte mandatin për formimin e qeverisë. Ivanov deklaronte se platforma e partive shqiptare, apo “platforma e Tiranës” sic e quante ai, paraqiste pengesë për mos-dhënien e mandatit, sepse sipas tij, rrënonte karakterin unitar të Maqedonisë si shtet. Në fakt, u provua e kundërta, Maqedonia e Veriut vazhdoi të ishte një vend i qëndrueshëm, me përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet ndër-etnike, dhe me një rol vendimtar të shqiptarëve në të. Dhe Zaev e kishte të qartë këtë. Në kulmin e tensioneve me presidentin Ivanov, ai deklaroi se do ta formonte qeverinë edhe pa mandatin e dhënë nga presidenti Ivanov. “Në do të donim që formalisht ta marrin miratimin nga presidenti, por kjo nuk është e domosdoshme. Është një traditë e mirë ta pyesësh prindin e vajzës për dorën e saj në martesë, por nëse ai refuzon ju mund të martoheni sërish”, do të deklaronte Zaev.

Duke pasur parasysh rolin jetik të shqiptarëve, Zaev thekson se do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij që të mos lejojë që nervozizmi i rrugës i shkaktuar nga ngërçi politik, të shndërrohet në krizë ndëretnike që do ta conte vendin mbrapa. “Zoti mos e dhëntë që të ndodhë krizë ndëretnike apo intraetnike. Atëherë për çfarë do të na duhej qeveria apo gjithçka tjetër? Këtë nuk duhet ta lejojmë dhe prandaj do të bëj gjithçka që është e nevojshme, që askujt të mos i mungojë një fije floku”, deklaronte Zaev.

Si gjithmonë, me sindromin ballkanik, kriza do të zgjidhej në momentin e fundit, me dhënien e mandatit për Zoran Zaev dhe përfundimisht, me zgjedhjet e reja presidenciale. Presidenti i ri do të ishte Stevo Pendarovski, një professor universitar dhe mjaft i ekuilibruar në qëndrimet e tij.

Në Malin e Zi, tensionet ishin të pritshme midis presidentit dhe politikanit veteran Milo Gjukanoviç dhe qeverisë së re të kryesuar nga Zdravko Krivokapic, edhe ky professor universitar. Gjukanovic nuk e vonoi dhe as nuk e pengoi mandatimin e qeverisë së re, por e bëri të qartë se do të këmbëngulte në qëndrimet e veta për një numër cështjesh. Ktheu në parlament që në fillim një numër ligjesh dhe amendamentesh, ndër të cilat amendamentet e Ligjit për Liritë Fetare. Zyra e Presidentit tha se ishte e paqartë nëse numri i nevojshëm i ligjvënësve ishte i pranishëm në parlament gjatë votimit. Pas kthimit të Ligjit për Liritë Fetare nga ana e Presidentit, kryeministri Krivokapiç reagoi duke thënë se ky “gjest i njeriut të parë të shtetit tregon më së miri se si funksionon bashkëjetesa në praktikë”. Shqiptari Dritan Abazovic, zëvëndëskryeministër, ishte edhe më i ashpër, duke thënë se “nëse Gjukanoviç shkel Kushtetutën, do ta zëvendësojmë atë.”

Por Gjukanovic ka vazhduar të marrë vendimet e tij pavarësisht nga kjo. Ai refuzoi të nënshkruante edhe vendimin e ministrisë së jashtme për tërheqjen nga detyra të 7 ambasadorëve. Gjukanovic dhe partia e tij i fituan zgjedhjet, por nuk kishin numrat e mjaftueshëm për të bërë qeverinë. Në pushtet erdhi një aleancë opozitare, që fillonte nga parti si Fronti Demokratik pro serb dhe vazhdonte deri tek partia URA e Abazovicit. Opozita e kishte akuzuar vazhdimisht presidentin dhe partinë e tij për lidhje me krimin e organizuar, korrupsion dhe varfërim të popullsisë. Konflikti me kishën serbe në Mal të Zi, i shtoi tensionet mes palëve, duke pasur parasysh se kjo kishë u rreshtua hapur në favor të opozitës, madje si udhëheqëse shpirtërore e saj. Mandati i Milo Gjukanoviçit përfundon në 2023 dhe bashkëjetesa mes tij dhe opozitës tani në pushtet, duket e vështirë.

Në Shqipëri, marrëdhëniet midis kryeministrit Rama dhe presidentit Meta, nuk janë aspak më të lehta, pavarësisht se të dy përfaqësojnë bindje të majta. Akuzat dhe replikat mes tyre kanë shkuar përtej cdo komunikimi zyrtar, duke pamundësuar normalitetin dhe duke tensionuar klimën politike, edhe ashtu të mbarsur me re. Janë përdorur fjalët rezistencë, përmbysje dhe shkarkim, deri tek çmenduria dhe fyerjet me emra kafshësh.

Një njohje dhe marrëdhënie e gjatë mes të dyve, që daton që në vitet 90’të dhe një njohje politike që nga viti 1998, do të bënte që periudhat e mëvonshme të shënonin bashkime dhe ndarje të herëpashershme, duke lëvizur herë majtas, e herë djathtas. Dhe në fund të fundit, në dy parti të ndryshme politike, të dyja të majta. Ilir Meta bëhet president i vendit më 28 prill të vitit 2017. Përplasja mes tij dhe Edi Ramës, bëhet institucionale dhe vazhdon duke u acaruar gjithnjë e më shumë deri në zgjedhjet e 25 prillit. Ishte e qartë tashmë se presidenti dhe kryeministri do të ishin ballë për ballë, në një betejë finale, ku nuk u kursyen sharjet, fyerjet dhe kërcënimet. Dukej si një dramë tipike e sherrnajës ballkanike, dhe po aq e ngjashme me vendet e tjera të rajonit, ku presidentët dhe kryeministrat e ardhur nga parti të ndryshme, shumicën e kohës kundërshtare, nuk do të arrinin të bashkëjetonin në paqe./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!