DW/ Zgjedhjet në Shqipëri: “Teknikat” e ndikimit ndaj vendimit të votuesve, shumë të rafinuara

schedule10:51 - 5 Maj, 2021

schedule 10:51 - 5 Maj, 2021

Analistja gjermane, Johanna Deimel analizon fitoren e PS në zgjedhjet e 25 Prillit, “patronazhistët”, gabimet e PD, që me bojkotin i hoqi vetes çdo mundësi ndikimi dhe ndryshimin e imazhit të Edi Ramës.

Deutsche Welle: Zgjedhjet në Shqipëri përfunduan me fitoren e Partisë Socialiste. Kreu i saj, Edi Rama ia doli për herë të parë të kapë një mandat të tretë, një risi në Shqipëri. Si e shpjegoni ju fitoren e socialistëve?

Johanna Deimel: Vërtet për herë të parë pas vitit 1991, Edi Rama ia doli që të fitojë një mandat të tretë. Suksesi i Edi Ramës mund të jetë objekt analizash e pyetjesh të tjera, kur kujtoj vitet e fundit: protestat e studentëve, shembja e Teatrit Kombëtar, ligji i kontestuar i medias, opozita brenda dhe jashtëparlamentare, përgjimet e bëra të njohura nga gazeta BILD për manipulime – këto janë vetëm disa aspekte. E vështirë ishte edhe rruga para hapjes së negociatave të anëtarësimit, ku duhej të plotësohej një katalog kushtesh. Lufta e llogoreve mes partive PD dhe PS por edhe mes Edi Ramës dhe presidentit Ilir Meta e kanë helmuar klimën dhe kanë vështirësuar reformat. Premtimin e tij elektoral të vitit 2017, si “shërbimin shëndetësor falas për të gjithë” Rama nuk mundi ta përmbushë.

Të gjitha këto do të bënin të mendoje, që populli do dëshironte një ndryshim themelor, të drejtohej nga ide të reja dhe fuqi të reja. Por sistemi politik i përçarë thellë duket shumë rezistent dhe ndarja në dy kampe mes PS dhe PD është shumë dominuese, që të thyhet edhe pas kaq vitesh dhe ngjarjesh turbulente. Duhet të na bëjë të mendohemi, që sipas sondazheve, vetëm 38% besojnë që përmes zgjedhjeve mund të ndryshojnë një qeveri. Ndërkohë tani armiqësia e ashpër mes Edi Ramës dhe presidentit Meta kalon në një raund të ri, ku pritet të iniciohet një procedurë shkarkimi, sipas vullnetit të Ramës. Autori komedian bavarez, Karl Valentin ka pasur një shprehje: Më parë e ardhmja ishte më e mirë!

E si ia doli atëherë Edi Rama të fitojë sërish këto zgjedhje?

Nëse filloj të kërkoj gjurmët, si mund të shpjegohet fitorja e Edi Ramës, arrij në disa përfundime. Sido që të jetë suksesi i socialistëve në zgjedhje i nuk i dedikohet një programi vizionar zgjedhor, në këtë pikë nuk pati asgjë. As tek demokratët. Kjo ishte një luftë zgjedhore bosh nga ana programatike dhe shumë e personalizuar, që kryesisht operoi me denigrimin e kundërshtarit politik. Në fitoren e socialistëve luajti një rol të madh vetë opozita, që përmes bojkotit të saj parlamentar dhe zgjedhor jo vetëm solli një parlament jofunksional, por ajo nga fundi i vitit 2019 i hoqi vetes mundësinë për çdo lloj ushtrimi të ndikimit në nivel lokal. PD dhe Lulzim Basha e nxorrën veten jashtë loje dhe thjesht i lanë skenën Edi Ramës si edhe burime institucionale dhe shtetërore. Fitorja e Edi Ramës kështu është me shtrirje të gjerë.

Domethënë këto zgjedhje Rama i fitoi falë gabimeve të opozitës?

Vetëm në qarkun zgjedhor Shkodër fitoi PD-ja tani. Ishte sigurisht një gabim taktik, që PD sërish doli bashkë në një fushatë me LSI-në, megjithëse pikërisht ky koalicion qeveritar u rrëzua në vitin 2013. Dhe PD-ja vetë ishte e përçarë mes atyre që qëndruan në parlament dhe atyre jashtë tij. Të larguarit, ish-demokratët si Topalli, Patozi, Hajdari, Shabani, i kanë kushtuar shumë vota PD-së, pa i dalë që me partitë e tyre të reja të kalonin kufirin minimal  të 1%. Edhe ata duhet t’i kishin bashkuar forcat.

Çfarë duhet të bëjë opozita tani pas humbjes së zgjedhjeve për herë të tretë?

Që tanë janë shtuar zërat që kërkojnë largimin e Lulzim Bashës është rrjedhojë logjike. Demokratët duhet të riformatohen nga përmbajtja dhe personeli. Tjetra: Edi Rama fitoi edhe për shkak të mungesës së alternativave. Kritikët e brendshëm të partisë, si Ditmir Bushati, ai i mënjanoi dhe ish-kritikë të dikurshëm si kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, besoj unë, ai e solli në linjën që donte. Forca të reja nuk duken gjëkundi. Edhe përpjekja e “Vetëvendosjes” së sukseshme në Kosovë për t’u futur në parlament e sistemin partiak shqiptar dështoi qartësisht në Shqipëri.

Po ashtu ishte e qartë, se duhej të ishin mobilizuar më shumë votues, që me këtë rast të votonin për ndryshimin. Pjesëmarrja në zgjedhje me më shumë se 46% megjithë pandeminë tregon, se zgjedhjet parlamentare i mobilizojnë votuesit. Por kjo nuk mjaftoi për një erë të re dhe ndryshim. Ka gjasa që rezultatet zgjedhore pa ndryshimin e vërtetë të peizazhit mediatik, mund të lidhen edhe me atë që rreth 1,3 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë për shkak të COVID-it nuk erdhën dot në vend. Sipas një publikimi të institutit studiomor Eliamep për zgjedhjet në Shqipëri, ky kontigjent mund të jetë zë i pavarur kritik i ndryshimit, sepse nuk janë të varur nga rrjetet klienteliste si bashkëvendasit e tyre dhe kështu do të ishin më të lirë në vendimet e tyre. Zgjedhjet e fundit në Kosovë e bënë të qartë rolin e diasporës për fitoren e Albin Kurtit.

Interesant është këtë herë qëndrimi i shtypit gjerman ndaj Edi Ramës para e pas zgjedhjeve, ai shihet shumë më tepër me sy kritik se më parë, nuk shihet më si ai “shpresëdhënësi”, madje Neue Zürcher Zeitung e cilësoi “autoritar”, një cilësim për disa liderë në Ballkan ky, e megjithatë ata votohen. Pse?

E vërtetë. Po të bëj një retrospektivë të shtypit gjerman, shpresëdhënësi, Edi Rama me sharmin “jokonvencional” dhe elegant në një farë mënyre është bërë sot një yll në plakje me tuta sporti dhe zinxhirë floriri, që flet me slogane futbolli, i zemëruar me BE që të mos përzihet në punët e brendshme, sepse një komisionere e BE ishte e shqetësuar për situatën e rinisë në Shqipëri, një Ramë që është shkëmbim me kryeministrin slloven për një non paper, që ndër të tjera e paramendon edhe një Shqipëri të Madhe. Ai nuk i tërheq më simpatitë.

Kësaj i shtohet vërtet një stil politik që po shfaqet gjithnjë e më autokrat. Polarizimi i skajshëm dëmton demokracinë, siç e shënoi Freedom House në raportin e fundit. Ditmir Bushati duhej të largohej, sepse ai hapur ngriti një problem, që pasuria kombëtare e vendit me gjasë ndodhet në duart e katër pesë oligarkëve. “State capture”- kapja e shtetit është për fat të keq e kudogjendur në Shqipëri. Si në Hungari, ku një rrjet patronazhi kontrollon institucionet shtetërore dhe individët afër pushtetit. Veton Surroi e ka thënë mirë – nuk ka rëndësi kush qeveris në Shqipëri, kapja e shtetit sido që të jetë shihet si një gjë “normale.” Deviza “fitimtari i merr të gjitha”, – edhe nën demokratët ishte kështu- , tani do të forcohet edhe më tej në favor të socialistëve në mandatin e tretë dhe kam frikë se do të gjenerojë më shumë para nga shteti i kapur. Prandaj qeveria e SHBA-së në një raport në shkurt 2021 shprehet, se Shqipëria për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar dhe strukturave të dobta mbetet një terren ushqyes për larjen e parave, edhe nga jashtë.

Një problem që vihet re në Shqipëri është sistemi klientelist që kanë krijuar partitë. A është ky tanimë faktori vendimtar për të fituar zgjedhjet e jo më vullneti i popullit?

Politikanë si Edi Rama janë votuar gjithmonë në Ballkan, sepse ata – dhe janë gjithmonë burra – (dua të përmend shprehimisht presidenten Vjosa Osmani si shenjë ndryshimit të trendit) i ndikojnë zgjedhjet përmes klientelizmit zgjedhor. Një sistem favorizues përgjues partiak dhe depërtues e njoh nga kohët e Gruevskit në Maqedoninë e Veriut, po ashtu si u bë tani publik para zgjedhjeve në Shqipëri. Se sa rezistent e relativisht pa drojë mund të vazhdojë përdorimi i strukturave të përgjimit edhe 30 vjet pas diktaturës është një këmbanë alarmi. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç përdor për përgjim inteligjencën artificiale kineze që verifikon votuesit pas votimit në qendrën zgjedhore, siç kemi parë në video përkatëse. Socialistët e Edi Ramës krijojnë para zgjedhjeve 9000 karta për 910.000 votues në rajonin e Tiranës me të dhëna për punën e tyre (shumë prej tyre në sektorin publik) dhe preferencat zgjedhore dhe si dhënia e votës mund të ndikohej me dhurata. Kush do ta mbajë punën kështu voton përkatësisht.

Që Edi Rama këta përgjues, patronazhistët dhe mbledhjen e të dhënave që bëjnë ata e quan “normale” tregon se sa është larguar ai nga koncepti i demokracisë liberale, ku votimet në kabina duhet të jenë të fshehta. Kjo duhet të ketë një pasojë juridike, edhe në kontekstin e BE, nuk duhet pranuar kaq lehtë. Në Tiranë dhe Shkodër janë bërë të njohura raste, ku janë fotografuar me gjasë fletëvotime për votimin “e duhur”. ODIHR dhe BE e prekën këtë problem të blerjes së votës. Megjithatë, nëse kjo ka qenë në masë të gjerë është e vështirë të provohet. Për këtë, janë shumë të rafinuara “teknikat” e ndikimit ndaj vendimit personal të votuesve.

A është afruar më shumë Shqipëria me BE pas këtyre zgjedhjeve?

Me ato që ndodhën rreth zgjedhjeve, nuk është bërë më e lehtë për Shqipërinë të bindë kritikët brenda BE. Në tërësi brenda vetë BE atmosfera nuk është patjetër pozitive lidhur me zgjerimin, për ta formuluar me kujdes. E nuk duhet shumë që të rrezikohet miratimi i negociuar me aq mundim për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Qeveria dhe opozita duhet të kuptojnë mirë fjalët e qarta të përfaqësuesit të BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell dhe komisionerit të zgjerimit, Oliver Varhelyi. “Të gjithë forcat politike, duhet si rezultat i këtyre zgjedhjeve të sigurojnë funksionimin efektiv dhe demokratik të institucioneve të vendit. Kjo përfshin edhe përgjegjësinë për ndjekjen e parimit demokratik të respektimit të rezultatit.” Sfidat e këtij mandati kërkojnë fuqi veprimi, politikë të përgjegjshme dhe aftësi për kompromis. Pasojat e tërmetit janë ende të rënda dhe pandemia është një sfidë e jashtëzakonshme. Sipas të gjitha gjasave të paktën parlamenti po rikthehet sërish në normalitet. Për hapa të tjerë në drejtim të BE-së Edi Rama ka nevojë për mbështetjen e opozitës.

Dr. Johanna Deimel është analiste e pavarur gjermane. Për një kohë të gjatë ajo ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Shoqatës së Europës Juglindore në Mynih, aktualisht është anëtare e bordit të shoqatës së Europës Juglindore.  /Deutsche Welle/