Shtyhet për në datë 23 Tetor, seanca e radhës së procesit kundër Emiljano Shullazit dhe 4 të bashkëpandehurve të tjerë.
Në seancën e sotme ishte parashikuar që të dëgjoheshin konkluzionet e palës mbrojtëse. Por, pavarësisht se avokatët ishin të pranishëm në seancë, ndërsa të akuzuarit jo, pala mbrojtëse kërkoi më shumë kohë për të përgatitur këto konkluzione.
Edhe sot në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda u konstatua prani e shtuar e forcave policore. Prej disa javësh seancat për grupin e Shullazit zhvillohen nën masa të rrepta sigurie.
Të martën e kaluar, Prokuroria e Krimeve të Rënda dha pretencën duke kërkuar 64 vite burgim në total për grupin Shullazi. Për Emiliano Shullazin u kërkuan 17 vite burgim, për tetë vepra penale që nga gjobëvënia, kanosja per shkak të detyrës, shkatërrimi i pronës me eksploziv apo dhe drejtim i grupit kriminal.
Për Gilmando Danin u kërkua 15 vjet burgim, për Endri Qyqën dhe Endrit Zelën nga 11 vjet heqje lirie dhe për Blerim Shullazin 10 vjet burgim. Kërkesa e Prokurorisë për dënimin e pesë anëtareve të grupit u dha gjithashtu në prezencë të përfaqësuesve të ambasadës amerikane dhe gjermane./abcnews.al