Siguria ushqimore vijon të mbetet problem jo vetëm në tregje, por edhe në restorante apo stabilimente të përpunimit të produkteve të mishit në vend. Vetëm javën e shkuar në qarkun e Elbasanit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur, 8 gjoba me vlerë 1.800.000 lekë dhe ka bllokuar 552 kilogramë mish.
Përmes një njoftimi për shtyp, AKU thotë se gjatë kontrolleve të ushtruara në tregje u konstatuan dhe u sekuestruan 18 kilogramë peshk me destinacion asgjesim dhe 40 kilogramë mish dele pa vulë dhe certifikatë veterinare.
Ndërsa në restorante, dyqane dhe stabilimente të përpunimit të produkteve te mishit u konstatuan 300 kilogramë mish të ngrirë, 118 kilogramë mish viçi, mishi 51 kilogramë mish lope, 5 kilogramë mish qengji, 20 kilogramë mish derri të pa vulosur dhe të pa certifikuar si dhe 950 kilogramë miell pa element gjurmueshmërie.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën thirrje konsumatorëve të bëjnë kujdes në blerjen e produkteve shtazore dhe të kërkojnë informacione për atë që konsumojnë./abcnews.al