Kandidati i së djathtës ekstreme, Jair Bolsonaro, triumfoi në zgjedhjet presidenciale. Por ai nuk arriti të shmangë balotazhin. Ndërsa rivali i tij, i cili zëvendësoi ish-presidentin Lula të burgosur tashmë, duhet të bëjë shumë aleanca për të patur një shans për të fituar.
Jair Bolsonaro fitoi. Por nuk arriti të kalonte pragun e 50% të votave. Prandaj do të duhet të përballet në balotazh me kandidatin e Partisë së Punës, Fernando Haddad, udhëheqësi i cili zëvendësoi kandidatin Lula da Silva në garën presidenciale braziliane.
Njeriu i fortë i vendit, ish-kapiteni i ushtrisë, një eksponent i së djathtës ekstreme, arriti përqindje që askush nuk do të kishte pritur vetëm disa muaj më parë. Votuesit e kanë shpërblyer me 47,6 %. Kundërshtari i tij drejtpërdrejt e ndjek atë me 20 pikë përqindje larg, përkatësisht Haddad u ndal në 27.97%.
Ata do të sfidohen edhe njëherë në garën finale të 28 Tetorit. Nuk do të jetë aspak e lehtë për ish-ministrin e Edukimit në qeveritë Lula dhe Rousseff. Suksesi i Bolsonaro do të detyrojë aleanca të reja me kandidatë të tjerë. Qytetarët kanë dalë masivisht në votime. Abstenimi ishte vetëm 22%, e regjistruar veçanërisht në shtetet veriore dhe perëndimore, të cilët janë më të izoluar dhe të varfër.
Votimi elektronik ka bërë që rezultatet të shpallen 3 orë pas mbylljes së votimeve. Ndërkohë, Bolsonaro ka shumë për festuar. Edhe dy fëmijët e tij janë zgjedhur në Kongres: njëri prej tyre u bë dhe deputeti i zgjedhur me më shumë vota në historinë e Brazilit. Nëse do të zgjidhet, Bolsonaro do të jetë i pari ish ushtarak që vendoset në drejtim të vendit, 30 vite pas përfundimit të diktaturës. Por edhe i pari eksponent i Kishës Evangjeliste./abcnews.al