Kleandro Lleshi: Talentin ma zbuloi një fqinj, nuk vij në kombëtare për të gjetur klub

schedule14:19 - 1 Maj, 2021

schedule 14:19 - 1 Maj, 2021

Kleandro Lleshi, mesfushori i talentuar shqiptar, i cili luan në radhët e ekipit spanjoll të FC Cartagenas, ka premisa të mira për t’u bërë një nga yjet e Kombëtares shqiptare të futbollit.

2020 duket se ishte një vit i mbrapshtë për të, duke nisur fillimisht me prekjen nga virusi Covid-19, e më pas me një dëmtim që e detyroi të qëndronte për dy muaj jashtë shtëpisë së tij të dytë, stadiumit.

Lleshi është bërë pjesë e Kombëtares që në moshë të vogël. Në intervistën për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, ai tregon hapat e parë në futboll, synimet e tij dhe sakrificat për futbollin.

FILLIMET – Kur shikoj sot fëmijët e vegjël teksa luajnë me top, më kujtohet vetja ime, pasi edhe unë si këto fëmijë sot apo edhe një pjesë e madhe e bashkëmoshatarëve të mi, kam nisur të luaj me top që kur isha i vogël. Sigurisht, jo duke shënuar gola, por më pëlqente të vrapoja pas topit.

Në fillim shihja në televizor ndeshjet dhe imagjinoni një 5 vjeçar si unë që çmendej pas Ronaldo “fenomenit”. Më pëlqente shumë ekipi i Realit të Madridit, ndërsa babain e kam pasur tifoz të Barcelonës. Kur isha rreth 7 vjeç, një fqinj në lagje i sugjeron babit që të më dërgonte të luaja futboll në kompleksin “Ali Demi”, pasi e shihte se edhe pse i vogël, unë kisha një dëshirë të madhe për të luajtur futboll.

 

Njeriu i parë pastaj që më ka ndjekur dhe që ka parë tek unë se realisht kisha talent, përpos dëshirës për të luajtur ishte profesor Armand Dama. Që prej ditës së parë, ai më ka mbështetur shumë, më ka dhënë forcë për t’u stërvitur dhe për të ecur në rrugën pa kthim të realizimit të ëndrrës time.

DËMTIMI – Dëmtimet janë pjesë e sportit. Rëndësi ka vullneti për t’i tejkaluar e për t’u rikuperuar sa më mirë. Pas kalimit të Covid-19 me rikthimin në fushë pësova një dëmtim të rëndë muskulor, që më la dy muaj jashtë fushe.

Ishte periudhë shumë e vështirë për mua, më ndodhi në momentin që sapo isha përshtatur me ekipin. Është diçka që të rëndon psikologjikisht dhe normalisht të duhet kohë të kapësh sërish ritmin. Me shumë punë dhe sakrifica arrita të kthehem në fushë.

Jam rikuperuar plotësisht falë Zotit nga dëmtimi. Ndihem shumë mirë, por do të duhet edhe pak kohë që të arrij aty ku synoj unë.

CARTAGENA – Siç ju thashë: Ëndrra ime ishte futbolli spanjoll që kur kam prekur topin. Jam këtu, jam i lumtur me ekipin, trajneri dhe gjithë stafin e FC Cartagena-s, të cilët po më mbështesin. Po marr minuta në momentet më të vështira të ekipit, kemi dhe shtatë ndeshje që janë të gjitha si finale për ne.

 

FANELLA KUQEZI– E kam veshur bluzën e ekipeve kombëtare që në moshën 12-vjeçare gjatë seleksionimeve, që bëheshin për grup-moshat. Jam thirrur nga ekipi Kombëtar U-19, duke kapërcyer grup-moshën U-17 pasi mora ftesën nga trajneri Arjan Bellaj.

Gjithashtu te Kombëtarja U-19 kam punuar edhe me trajner Erion Bogdanin dhe në moshën 19-veçare kam debutuar me Kombëtaren U-21 me trajner Alban Bushin. Kur vesh atë fanellë nuk ke kohë te mendohesh, duhet të japësh shpirtin në fushë. Kjo është ajo që përjeton kur luan për kombëtaren shqiptare.

MOMENTET E LUMTURA – Me Kombëtaren dua të veçoj një moment, që është shumë special për mua, këndimi i himnit kombëtar në fushë me skuadrën. Është emocion që nuk mund të përshkruhet.

Ndërsa, momenti më i lumtur në karrierën me klubin ka qenë debutimi në kampionatin spanjoll La Liga, një ëndërr e imja e realizuar.

SAKRIFICAT – Unë kam sakrifikuar dhe do sakrifikoj çdo gjë që duhet për futbollin. Unë jetoj për futbollin dhe me futbollin.

E ARDHMJA – Synimi është të vazhdoj të luaj në elitën e futbollit, në kampionatin më të fortë të botës së futbollit. Kjo është e tashmja dhe e ardhmja e punës time.

Sa i takon Kombëtares, siç ju thashë më lart, e kam ndjerë peshën e asaj fanelle. Për mua të luash për Kombëtaren nuk mjafton vetëm të luash mirë futboll apo shpirti i garës, duhen të dyja. Që t’i kesh të dyja duhet të jesh profesionist, nëse luan në kampionat elitar besoj se këto elemente janë në një shkallë superiore.

 

Unë do të vazhdoj të bëj detyrën time në La Liga. Mendimi im është ky: futbollistët të cilët luajnë në kampionate elitare nuk vijnë për të marrë te Kombëtarja, por vijnë që të sakrifikojnë dhe të japin maksimumin për Kombëtaren.

Ekipi ku unë luaj beson tek unë. Do të vazhdoj të bëj detyrën siç i takon një futbollisti profesionist. Unë nuk vij me synimin për të gjetur klub nëpërmjet Kombëtares. Kam kontratë 5-vjeçare në La Liga. Ndihem gati në çdo çast, por zgjedhjet i bëjnë ata që e kanë këtë detyrë.

IDHUJT – Idhulli im në Kombëtare është lojtari i 12-të, pra tifozët. Janë ata të cilët japin çdo gjë për Kombëtaren pa asnjë kusht. Modeli im në futboll është lojtari i punës dhe i sakrificës për futbollin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!