Politikat e emigracionit në 100 ditët e para të Presidentit Biden

schedule08:43 - 30 Prill, 2021

schedule 08:43 - 30 Prill, 2021

Ndërsa Presidenti Joe Biden shënon 100 ditëshin e parë në detyrë, kjo është një përmbledhje e veprimeve dhe pozicionimeve të administratës së tij mbi çështjet kryesore të imigracionit.

Refugjatët

Administrata kishte premtuar të pranonte deri në 125,000 refugjatë, nga kufiri maksimal prej 15,000 refugjatësh në vit, i vendosur nga paraardhësi i tij, Donald Trump.

Në fillim të këtij muaji, Presidenti Biden nënshkroi një urdhër mbi zgjerimin e numrit të refugjatëve të pranuar në vit për shkak të “shqetësimeve humanitare”. Pasi u ndesh me kritika të forta nga agjencitë që ndihmojnë në sistemimin e refugjatëve, Presidenti Biden tha se ai do të rriste e numrin e refugjatëve të pranuar në vit.

Anulimi i masës së ndalimit të udhëtimeve

Presidenti Biden u zotua gjatë fushatës së tij për të ndalur dhe hequr të ashtuquajturin ndalim të udhëtimeve, i cili bllokoi njerëz nga 13 vende, kryesisht myslimane ose afrikane, nga udhëtimet në Shtetet e Bashkuara.

Një urdhër ekzekutiv nga Presidenti Biden autorizoi Departamentin e Shtetit që të fillonte shqyrtimin e aplikimeve për viza nga vendet e përmendura në urdhërin e mëparshëm.

Ndalimi i punimeve për ndërtimin e murit kufitar

Ndërsa Presidenti Biden filloi me shpejtësi zhbërjen e elementeve kryesore të politikave të imigracionit të administratës së mëparshme, një nga urdhrat e tij të parë pas inaugurimit të tij ishte ndërprerja e punës për ndërtimin e murit përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Ish-presidenti Trump kishte mbrojtur me forcë murin, duke thënë se ishte i nevojshëm për të ndalur valën e imigracionit të paligjshëm, por Presidenti Biden e quajti atë një “abuzim fondesh” dhe u zotua se do të promovonte më shumë politika humanitare të imigracionit.

Dërgimi i projekt-ligjit të imigracionit në Kongres

Gjatë fjalimi të tij të parë në Kongres në cilësinë e Presidenti të mërkurën, Joe Biden u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë të miratojnë propozimin e tij të reformës në sistemin e imigracionit.

“Nëse besoni se na duhet një kufi i sigurt, duhet ta miratoni atë”, tha Presidenti Biden. “Nëse besoni në një rrugë drejt shtetësisë, miratojeni atë.”

Legjislacioni i propozuar u prezantua në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat në shkurt. Ai do të krijonte një rrugë tetë-vjeçare drejt shtetësisë për miliona imigrantë pa dokumente në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ofron një rrugë të shpejtë për shtetësinë për ata që u sollën në vend ilegalisht kur ishin fëmijë.

Ngrirja e dëbimeve për 100 ditë

Presidenti Biden njoftoi një ngrirje 100 ditore të dëbimeve së bashku me një kërkesë për të rishikuar politikat e zbatimit të ekzekutuara nga Agjencia e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit dhe Agjencia amerikane e Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit.

Por Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit Ken Paxton ngriti një padi për të bllokuar moratoriumin e Presidenti Biden tre ditë pas njoftimit të tij. Gjykatësi Federal Drew Tipton pezulloi përkohësisht moratoriumin dy herë, pastaj vendosi një pezullim me afat të pacaktuar të moratoriumit 100-ditor të Presidentit Biden për dëbimet në shkurt.

Kërkesat për Azil

Në shkurt, Presidenti Biden urdhëroi zyrtarët të hartonin një plan për trajtimin e migracionit, përfshirë çështjen e azilkërkuesve dhe atë të refugjatëve. Administrata e tij ende nuk ka dhënë hollësi mbi këtë plan. Ndërkohë, Presidenti Biden ka eleminuar disa udhëzime dhe politika të miratuara nga administrata e ish-presidentit Trump, si “Protokollin e Mbrojtjes së Migrantëve” (MPP), që shpesh është quajtur si politika e “Pritjes në Meksikë”, sipas së cilës azilkërkuesit duhet të presin në Meksikë ndërsa rastet e tyre shqyrtohen nga gjykatat amerikane të imigracionit.

Biden përjashtoi të miturit nga politika, e njohur si Rregulli 42, që i jep autorizimin Agjencisë së Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit për të dëbuar migrantët që hyjnë në vend pa autorizim për arsye shëndetësore, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në pjesën më të madhe të vitit 2020, administrata e ish-presidentit Trump bllokoi azilkërkuesit e të gjitha moshave bazuar në Rregullin 42.

DACA dhe Ëndërrimtarët

Presidenti Biden rivendosi DACA-n, një politikë e epokës së ish-presidentit Obama që shmang dëbimin e të rinjve pa dokumenta të sjellë në vend si fëmijë dhe që plotësojnë disa kushte. Ata që ndikohen nga DACA shpesh përshkruhen si “Ëndërrimtarë”, një term me origjinë nga një projektligj i quajtur Akti i Endërrimtarëve.

Gjykata e Lartë bllokoi përpjekjet e administratës së ish-presidentit Trump për të anuluar programin DACA, por ish-administrata Trump ishte në gjendje të ndalonte pranimin e aplikimeve të reja.

Në mars, Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas njoftoi një rregull në Regjistrin Federal për të “ruajtur dhe forcuar DACA-n”, por një sfidë e vazhdueshme ligjore e ngritur në gjykatën e Teksasit mund të anulojë mbrojtjet.

Më shumë trajnime për agjentët amerikanë të imigracionit

Presidenti Biden ka shtuar fondet për hetimin e shkeljeve nga agjentët e imigracionit dhe për trajnimin e tyre në projekt-ligjin e tij të imigracionit dhe në buxhetin që ai dërgoi në Kongres. Administrata e Presidentit Biden tha se dëshiron të sigurohet që zyrtarët e zbatimit të ligjit të imigracionit të mbajnë përgjegjësi për çdo sjellje të keqe ose trajtim çnjerëzor.

Zyrtarët nga Departamenti Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore thanë në një deklaratë se nuk u lejohej të komentonin për raste specifike, por “ai (departamenti) ka një politikë të tolerancës zero për të gjitha format e abuzimit seksual, ngacmimit seksual dhe sjelljes së papërshtatshme seksuale”.

Akuzat për këto çështje janë duke u hetuar.

Fundi i ndarjes së familjeve

Ndarja e familjeve u bë pjesë e titujve të lajmeve në vitin 2018 pas shfaqjes së një regjistrimi filmik nga një institucion paraburgimi që tregonte shumë fëmijë të grumbulluar duke qarë sepse ishin ndarë nga prindërit e tyre. Situata u shfaq pasi ish-presidenti Trump filloi politikën “tolerancë zero” për kalimet e paligjshme të kufirit, një program që çoi në ndarjen e më shumë se 5,000 fëmijëve migrantë nga prindërit e tyre. Ndërsa pothuajse të gjithë prindërit u kthyen në vendet e tyre të lindjes, fëmijët e tyre mbetën në qendrat e paraburgimit në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Biden mori detyrën mes përpjekjeve të aktivistëve të imigracionit për të ribashkuar fëmijët me prindërit e tyre. Administrata krijoi një grup pune dhe presidenti ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë fund kësaj politike. Megjithëse grupi i punës po bën përparim, ka ende qindra raste të prindërve të ndarë nga fëmijët e tyre./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!