Kryeministri Edi Rama e dinte që të enjten se çfarë njoftimi do të jepte prokuroria të shtunën.
“Dhe po ju them që te Babale i parë do të dalë një e vërtetë që do të habiteni të gjithë ju”, tha Edi Rama.
Dhe ashtu ndodhi. Sipas njoftimit të organit të akuzës ekziston dyshimi se zëri i Bashkëpunëtorit X që bisedonte me Agronin në audio regjistrimin e publikuar nga selia e Partisë Demokratike, nuk është ai i vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, por i një shtetasi tjetër, Fredi Alizoti.
Pas caktimit të masës arrest në burg, pak minuta më pas reagon kryetari demokrat Lulzim Basha. Nuk u habit nga ky lajm pasi kushdo që priste diçka tjetër nga prokuroria Rama-Marku-Xhafa-Prela është vetëm naiv shkruan ai në Twitter.
Agron Xhafaj që i fshihej prej 5 vitesh drejtësisë me ndihmën e vëllait, u largua me urgjencë drejt Italisë, që të mos përballej me hetimin dhe akuzat që prokuroria e kapur i quan sot montim, shpjegon ai sipas të cilit, me këtë akt të fundit Rama i ka vënë zjarrin shtetit ligjor dhe nuk ka mbetur rrugë tjetër përveç rrëzimit me çdo mjet të mafias në pushtet, e mbyll Lulzim Basha statusin e tij.
Një orë më pas , kryeministri Edi Rama vendos të thotë fjalën e tij për njoftimin e prokurorisë. Ai uron që arrestimi i aktorëve të “Babale 1” të jetë fillimi, jo fundi i drejtësisë mbi një maskaradë të orkestruar për të llahtarisur dynjanë e rrëzuar qeverinë, shkruan kreu i qeverisë.
Sipas kryeministrit Rama pas mjeranëve të paguar për t’u përgjuar,qëndrojnë autorë e pagatorë të këtij krimi që duhet të paguajnë deri në fund. Nuk u mjaftua me kaq kreu i qeverisë. Vendosi t’i japë edhe një përgjigje të drejtëpërdrejtë kryetarit të Partisë Demokratike.
“Qetësohu Lulzim!”, është këshilla e parë që i jep shefi mazhorancës kundërshtarit të tiij politik.
Së dyti i thotë të flerë deri të hënën se ka ca të reja të tjera për të publikuar. Pa përcaktuar konkretisht se cili do ti publikojë këto lajme, partia apo qeveria që drejton, apo institucioni i pavarur i prokurorisë.
Ndryshe nga kryetarët e dy partive më të mëdha në vend që të shtunën i dhanë qëndrimet e tyre të ulur në kompjuter, deputeti Ervin Salianji del përpara mediave dhe thotë se prokuroria zbatoi skenarin e regjisorit Rama.
“Është fakt se Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama nuk bënë kurrë publik rezultatin e një ekspertize private, që provonte, sipas tyre, se Agron Xhafaj nuk ishte përfshirë në trafik droge. Është fakt se laboratori shtetëror i Ministrisë së Brendshme italiane, i shpallur nga vetë qeveria si më i specializuari në Europë për të tilla ekspertiza, refuzoi të bëhej pjesë e skenarit kriminal të qeverisë së Edi Ramës”, deklaroi Salianji.
Në emër të Partisë Demokratike deputeti Salianji deklaroi se Edi Rama mund të paguajë, shantazhojë, të blejë prokurorë e deshmitarë, mund të sajojë përkohësisht prova dhe të shpikë aktorë por në bindjen e demokratëve nuk do tia dalë të mbulojë të vërtetën e përfshirjes së Agron Xhafës në trafikun e drogës./abcnews.al