Vendet e varfëra të Bashkimit Europian kanë vendosur të sfidojnë ato të pasura. Hungaria dhe Polonia i janë drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të kërkuar ndryshimin e rregullores për pranimin e punëtorëve nga vendet e lindjes në ato të perëndimit.
Qeveritë në Hungari dhe Poloni kanë deklaruar të enjten se i janë drejtuar Gjykatës Europiane të Drejtësisë për të sfiduar rregullat e ashpra të Bashkimit Europian për pranimin e punëtorëve nga vendet anëtare të lindjes.
Bëhet fjalë për një nga çështjet më të ndjeshme që ka thelluar ndasitë mes vendeve të varfëra dhe atyre të pasura të Unionit. Nga këto të fundit është Franca që Korrikun e kaluar prezantoi një direktivë të re, që kufizon të drejtën e qytetarëve nga vendet modeste për të punuar në vendet e kamura për një rrogë më të lartë.
Për Parisin zyrtar, praktika e mëparshme, që u lejonte punëtorëve të huaj të merrnin rrogë në vendet e Perëndimit dhe që kontributet shoqërore t’i shlyenin në vendet e origjinës nuk ishte e drejtë, ndaj duhej ndryshuar. Por për qeveritë në Budapest dhe Varshavë, direktiva e re shkel të drejtat dhe liritë që garantohen në traktatin e bllokut europian.
“Kjo reformë nuk shërben për të mbrojtur punëtorët vendas. Ajo është vetëm një vegël proteksionizmi”, thuhet në një deklaratë të qeverisë hungareze.
Në të njëjtat linja është shprehur edhe ministri polak i Punës, Konrad Zimanski, që ka saktësuar se Polonia e ka depozituar ankesën e saj më 3 Tetor.
Punëtorët nga vendet e lindjes përbëjnë vetëm 1 për qind të krahut të punës në BE, shumica e të cilëve janë të angazhuar në sektorin e ndërtimit dhe transportit./abcnews.al