May vallëzon në konferencën e konservatorëve

schedule23:59 - 3 Tetor, 2018

schedule 23:59 - 3 Tetor, 2018

Me buzëqeshje dhe duke vallëzuar, kryeministrja britanike Theresa May ka deklaruar në konferencën e Konservatorëve, se koha e krizës ekonomike për Britaninë kaloi. Por për BBC, shfaqja e kryetares së qeverisë më energjike se kurrë, është vetëm një fasadë, që asaj i duhet për të bindur votuesit, në një kohë kur problemet financiare janë më akute se kurrë.

Me një ecje ritmike nën tingujt e këngës së njohur “Mbretëresha e Vallëzimit”, kryeministrja Theresa May ka përcjellë mesazhe shpresëdhënëse për qytetarët britanikë. Në konferencën e Partisë Konservatore, May ka deklaruar se pas një dekade trazirash financiare, për Mbretërinë e Bashkuar po afrojnë ditë më të mira.

Në fjalimin e saj, May ka mbrojtur edhe strategjinë e kritikuar të saj për daljen nga Bashkimi Europian, duke theksuar se ajo është në të mirë të Britanisë. Megjithatë, kryetarja e qeverisë ka paralajmëruar se përpjekja e Londrës për një dalje sa më optimale nga Unioni Europian mund të përfundojë në një dalje pa marrëveshje.

Sa u takon masave shtrënguese anti-krizë, May u ka bërë të ditur qytetarëve se fundi i tyre është shumë pranë.

“Konservatorët nuk duhet të jenë vetëm një parti që pastrojnë rrëmujën. Ata duhet gjithashtu të gjejnë shtegun për një të ardhme më të mirë”, ka vijuar May.

Por duke komentuar fjalimin e kryeministres dhe natyrisht vallëzimin e saj, analistët e BBC janë shprehur se gjithçka ishte një fasadë e May, për të mbuluar para votuesve vështirësitë që ajo po has në procesin e Brexit dhe me shpenzimet e tkurruara publike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!