I gjithë komuniteti i biznesit duhet të orientohet drejt reduktimit të qeseve plastike. Apeli vjen nga ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, gjatë një vizite në një kompani që prodhon ambalazhe. Ndërkohë përdorimi i qeseve ka rënë me rreth 70% sipas prodhuesve.
Qeset plastike po përdoren më pak nga konsumatorët. Administratori i një kompanie ambalazhi në Korçe i tregoi ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, se po nxjerrin në treg rreth 70 % më pak prodhim.
“Sasia ka rënë në 65-70%, domethënë 70% më pak fije në treg. I jemi përshtatur teknologjisë së re, i jemi përshtatur standardeve të reja që janë vendosur me ligjin e ri. Materiali është biodegradues, lejohet në kontakt me ushqimin , i riciklueshëm, datën e prodhimit, kompaninë sipas të gjitha standarteve të kërkuara”, u shpreh Jorgo Gusho.
Inspektimet në të gjithë vendin do të vijojnë, sipas ministrit të Mjedisit, pasi i gjithë komuniteti i biznesit duhet të orinetohet drejt reduktimit të qeseve.
“Shpejt do të kërkojmë që qeset të zëvendësohen me një produkt tjetër që janë torbat dhe natyrisht qeset e letrës. Natyrisht ka shumë më tepër për të bërë, ka shumë më tepër për të ndërgjegjësuar opinionin publik. Reduktimi i ofertës nga kompania përsa i përket gjithë sistemit na dëshmon që qeset e trasha po përdoren disa herë më shumë dhe vënia e pagesës ka shërbyer që të kemi kufizim të përdorimit të numrit të qeseve plastike”, tha Blendi Klosi.
Qeset plastike nën 35 mikron konsiderohen si një nga ndotësit kryesorë të mjedisit pasi kërkojnë një kohë tepër të gjatë për t’u degraduar. Për eleminimin e tyre, tre muaj më parë qeveria me një vendim të posaçëm ndaloi prodhimin, importin dhe tregtimin e qeseve plastike./abcnews.al