Deputeti socialist Fatmir Xhafaj komentoi në “Log.” në ABC rolin e patronazhistëve. Ai tha se ka një listë zgjedhësish që ka çdo parti për të cilën kujdeset që të shkojnë të votojnë. Xhafaj dënoi sulmet dhe deklaratat kundër rolit të patronazhistëve, duke shtuar se ata bëjnë një punë të nderuar duke kontribuar me mish dhe me shpirt.
“Nëse partitë e tjera nuk i kanë është dobësi për ta. Ne kemi një listë zgjedhësish dhe ne përpiqemi që sa më shumë prej tyre të shkojnë të votojnë. Ne do pyesim kush janë ata, a janë me PS, a janë me PD. Ne krijojmë një database tonin. Po stigmatizohen në mënyrë të paligjshme.
Është e turpshme. Ata janë qytetarë të republikës së Shqipërisë. Ata bëjnë një punë të nderuar. Ata kontribuojnë me mish dhe me shpirt. Unë kam respekt për militantët e të gjitha partive, mjaft që ta kryejnë punën me përgjegjshmërie.
E kam bërë unë. Kam marrë listën e zgjedhësve nga 1 deri te 1000. Ne kemi marrëdhënie me ta. Ne i trokasim në dyer. Këta njerëz që punojnë me ne çdo ditë meritojnë respekt. Ju ftoj të vini nesër në zyrat elektorale ku unë punoj. Jam i mërzitur kur kam dëgjuar këtë retorikë fyese. Janë njerëz me 100 halle që vijnë na ndihmojnë ne”, deklaroi Xhafaj./mv.abcnews.al