Pak kohë pas identifikimit të autorëve të sulmit me agjent nervor në Salsibury, Londra ka paralajmëruar Moskën se do ta paguajë shtrenjtë nëse vijon me praktikat e saj frikësuese dhe nuk luan sipas rregullave ndërkombëtare.
Ministri i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, ka paralajmëruar të dielën Rusinë se do ta paguajë shtrenjtë nëse vazhdon me aksionet e saj agresive, që bien ndesh me rregullat ndërkombëtare. Paralajmërimi ka ardhur pasi autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar akuzuan më herët gjatë muajit dy agjentë të shërbimit sekret ushtarak rus GRU për helmimin e ish-oficerit Sergei Skripal dhe së bijës Julia, më 4 Mars në Salisbury.
“Qeveria konservatore e Britanisë ka një mesazh fare të thjeshtë për Kremlinin, nëse përpiqeni të frikësoni këtë vend me veprimet tuaja, nëse përdorni armë kimike dhe nëse nuk luani sipas rregullave ndërkombëtare çmimi që do të paguani do të jetë shumë i shtrenjtë”, ka deklaruar Hunt.
Ministri ka paralajmëruar më tej se shumë shpejt agjencitë britanike të inteligjencës do të asgjësojnë një rrjet spiunazhi të GRU-së ruse. Pak ditë më parë, një nga personat e akuzuar për helmimin e Skripal dhe së bijës me agjent kimik Noviçok u identifikua si një oficer rus, i nderuar me medalje nga presidenti Vladimir Putin.
Personi në fjalë u identifikua me emrin Ruslan Boshirov dhe rezulton të ketë marrë pjesë në luftrat në Çeçeni dhe në Ukrainë dhe në vitin 2014 është shpallur “Hero i Federatës Ruse”. Por presidenti Putin në fillim dhe zëdhënësi i tij më pas deklaruan se Boshirov është civil dhe se e kishte vizituar Anglinë si turist./abcnews.al