UEFA miraton formatin e ri, katër skuadra më shumë në Champions League

schedule14:18 - 19 Prill, 2021

schedule 14:18 - 19 Prill, 2021

Krijimi i Super League ka shkaktuar një “tërmet” në botën e futbollit. Shumë kanë dalë kundër, duke përfshirë edhe tifozeri të klubeve, teksa UEFA ka reaguar menjëherë duke bërë lëvizjen e radhës.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është mbledhur ditën e sotme në Zvicër dhe ka miratuar në mënyrë unanime formatin e ri të Champions League me 36 skuadra, katër më shumë se aktualisht.

Ndryshimi do të ndodhë prej sezonit 2024/2025. Katër skuadra të tjera do të marrin pjesë në garë me një formulë plotësisht të rinovuar. 36 skuadra do të marrin pjesë të mbledhura në një grup të vetëm. Secila skuadër, në një lloj mini-kampionati në një grup sipas shortit, do të luajë dhjetë ndeshje: 5 në shtëpi dhe 5 jashtë.

Ekipet e renditura në tetë vendet e para do të kualifikohen direkt në raundin e 1/8-ve (duele me eliminim direkt si formati aktual), ndërsa ekipet e renditura nga vendi i nëntë deri në të pozicionin numër 24 do të luajnë play-off për të përcaktuar 8 ekipet e tjera të kualifikuara në raundin e 1/8-ve.

Pro këtij formati kanë votuar edhe klubet e PSG-së, Bayern Munchen dhe Borussia Dortmund, të cilët kanë dalë kundër krijimit të kompeticionit të European Super League. /abcnews.al