Mançester Siti shkëputet në Angli

schedule13:40 - 6 Nëntor, 2017

schedule 13:40 - 6 Nëntor, 2017

Mançester Siti është shkëputur ndjeshëm nga rivalët në Premier Ligën angleze. Gjithsesi, trajneri Pep Guardiola ende nuk mendon se skuadra e tij ka arritur në nivelin e Barcelonës apo të Bajernit

Marshimi është gjithnjë e më triumfal.

Mançester Siti po bëhet i pakapshëm në Premier Ligën angleze, me 8 pikë epërsi ndaj rivalëve pas vetëm 11 ndeshjeve.

Suksesi 3-1 ndaj Arsenalit ishte I 9-ti radhazi në kampionat për të besuarit e trajnerit Pep Guardiola, që duket se ka gjetur kombinimin magjik, ashtu si tek Barcelona.

Me ndihmën e Sergio Agueros, shënuesit më të mirë në historinë e klubit, Siti po shkon drejt titullit të tretë kampion në 7 vitet e fundit.

Pavarësisht se trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, u ankua për penalltinë e fituar nga Stërling, dhe për golin e tretë të parregullt, suksesi I kryesuesve nuk mund të vihet në dyshim

De Brujn, Aguero  dhe Gabriel Zhezus shënuan, ndaj vetëm 1 rrjete të Lakazetit për londinezët, duke e lënë Guardiolën shumë të kënaqur.

Guardiola: “Një punë shumë e mirë ndaj Arsenalit. Ne krijuam shumë raste, dhe shumë momente të tjera të rrezikshme dhe shënuam 3 gola. Ne e merituam, dhe tani shpresoj që lojtarët të kthehen shëndoshë nga ndeshjet me ekipet e tyre kombëtare. Padyshim jemi përmirësuar në krahasim me vjet, sidomos në ndeshjet ndaj rivalëve direktë. Gjithsesi, ne nuk jemi ende në nivelin e Barcelonës apo Bajernit. Duhet të jemi më cinikë përpara portës”.

Rivalët kryesorë të Sitit duhet të jenë Mançester Junajtid dhe Çelsi.

Pikërisht mes tyre ishte ndeshja e kësaj jave në “Stemford Brixh” të Londrës, me suksesin 1-0 të Çelsit.

Vendosi goli i Moratës dhe blutë iu afruan të paktën vendit të dytë, ndërsa vëmendja ishte e gjitha mbi trajnerin Konte, që nuk i dha dorën në fund Murinjos, dhe që la në stol mbrojtësin kryesor, David Luiz.

Konte: “Në atë moment, unë shkova të takoja gjyqtarët dhe të takoja lojtarët e mi. Ne u takuam dy herë më përpara me Murinjon, prandaj nuk kishte ndonjë rëndësi dhënia e dorës në fund. Sigurisht, jemi të lumtur për paraqitjen e ekipit. Luajtëm me shumë energji, me durim dhe entuziazëm. Sa për David Luizin, trajneri duhet të marrë vendimet më të mira për ekipin. Këtë herë, vendimi më I mirë ishte të aktivizohej Kristensen. Përsa I përket të ardhmes, ju gjithnjë e vini në dyshim të ardhmen time, por kjo është normale”.

Po Murinjo, sa shpresa ka ende për të fituar titullin me Mançester Junajtidin?

Ishte një ndeshje e madhe, ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Natyrisht, e ndjemë mungesën e disa lojtarëve që na japin cilësi dhe forcë të madhe fizike. Në ndeshje të tilla, kush shënon I pari mund të fitojë, dhe ata shënuan përpara nesh. Jemi të shqetësuar, padyshim, për distancën nga Mançester Siti, por janë 18 skuadra të tjera, më të shqetësuara sesa ne. Tetë pikë diferencë në Angli nuk janë njëlloj si në ligat e tjera, pra ka ende shanse për titull”./abc news