Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës, SHBA anulon dërgimin e anijeve ushtarake në Detin e Zi

schedule12:51 - 15 Prill, 2021

schedule 12:51 - 15 Prill, 2021

Mes tensioneve të vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës, Shtetet e Bashkuara kanë anuluar  dërgimin  e anijeve ushtarake në Detin e Zi.

Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu, e cila citoi disa zyrtarë turq tha se kalimi i anijeve ushtarake amerikane përmes Bosforit ishte anuluar. Javën e kaluar Turqia kishte njoftuar se 2 anije ushtarake do të lëviznin përmes përmes ngushticës së Bosforit dhe Dardaneleve në drejtim të Detit të Zi dhe do të qëndronin aty deri më 4 maj.

Ambasada e SHBA-së në Ankara njoftoi ministrinë e jashtme të Turqisë për anulimin e dërgimit të anijeve por nuk dha asnjë arsye.

Lajmi  për anulimin e  dërgimit të anijeve ushtarake amerikane erdhi pas telefonatës së Joe Biden me homologun e tij rus Vladimir Putin. Gjatë telefonatës, Biden ngriti shqetësime për vendosjen e trupave ushtarakë në kufijtë e Ukrainës.

Biden gjithashtu propozoi mbledhjen e një samiti online për të diskutuar çështjet me të cilat po përballen Rusia dhe SHBA. Të dy udhëheqësit diskutuan një sërë çështjesh rajonale dhe globale përfshirë qëllimin e të dy vendeve për  dialog mbi kontrollin e armëve dhe çështjet e reja të sigurisë.

Ai madje theksoi angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës./abcnews.al