Superliga luan sot derbin e kryeqytetit

schedule13:42 - 28 Shtator, 2018

schedule 13:42 - 28 Shtator, 2018

Tirana do të kërkojë sot të mundë Partizanin në derbi, pas plot 4 vjetësh. Trajneri Ze Maria qetëson skuadrën, por bardheblutë kanë probleme në prag të ndeshjes së rëndësishme.

Fiksojeni mirë këtë datë.

Mbrëmje e 7 Shkurtit 2014, kur Tirana arriti fitoren e fundit në derbi ndaj Partizanit, falë golit të brazilianit Gilberto. Deri më sot, kur luhet sfida e radhës në orën 19:45, kanë kaluar 13 duele dhe bardheblutë nuk kanë arritur të fitojnë më asnjë.

Gjashtë janë fitoret e Partizanit dhe shtatë, barazimet. Tiranasit u stërvitën këtë javë pikërisht me këtë fiksim në mendje, nëse do të jenë ata të parët që ta ndërpresin këtë seri negative.

Për fat, dy rezultatet e fundit po i ndihmojnë, me fitoren ndaj Luftëtarit dhe barazimin në fushën e Skënderbeut. Trajneri Ze Maria, një nga ata që rrezikojnë të parët, përpiqet t’ua heqë presionin lojtarëve të tij.

Gjithsesi, vetë Ze Maria duket si një nga protagonistët që krijon probleme.

Burime brenda skuadrës dhe pranë saj theksojnë se braziliani shpesh konfliktohet me lojtarët, duke i akuzuar për nivelin e lojës, siç thuhet se bëri sëfundmi me portierin Lika apo me disa nga mbrojtësit.

Kapiteni Karabeci është lënë shpesh në stol, në atë që cilësohet si konflikt personal, aq sa drejtori i ri i Akademisë, Devi Muka, u shpreh publikisht se “nëse do të më ndodhte mua si Karabeci, do të isha larguar”.

Fakti se Muka është pjesë e Tiranës, e bën gjendjen edhe më të vështirë. Po ashtu, bardheblutë flitet se vazhdojnë të kenë probleme me pagesat, me presidentin Halili që premtoi shlyerje përpara derbit, ndërsa kjo ende nuk ka ndodhur.

Tifozët, ndërkaq, pritet të jenë të shumtë në stadiumin “Selman Stërmasi”, pavarësisht pakënaqësisë së tifogrupit “Tirona Fanatiks” me presidentin Halili. Tirana, si klub pritës ka nxjerrë prej ditësh çmimin e biletave, që ndahen në dy kategori, 400 dhe 2 000 lekë të reja.

Klubi besohet se ka marrë të gjitha masat, për të mos pasur konflikte siç ka ndodhur në të kaluarën. Pritet që 100 punonjës të sigurisë private të ruajnë rendin, ndërsa forcat e policisë do të jenë të gatshme, pranë stadiumit, madje edhe në ambientet e tij të brendshme.

Formacioni i mundshëm i Tiranës:

Lika

Doka Turtulli Berisha Hoxhallari

Daja Maveje Hasani

Kobina Blazhevski Oduamadi (Sentamu)

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!