Presidenti turk Recep Taip Erdogan ka nisur të enjten vizitën treditore në Berlin, objektivi i të cilës është ulja e tensioneve me ata që ai i ka quajtur “miqtë gjermanë”.
“Është detyra jonë t’i çojmë marrëdhëniet tona përpara duke u bazuar në interesat e përbashkëta dhe duke u distancuar nga frika iracionale”, ka thënë Erdogan.
Një nga lëvizjet që sipas presidentit turk Gjermania duhet të bëjë për të përmirësuar marrëdhëniet është përcaktimi i lëvizjes Gylen një organizatë terroriste. Gjithashtu, Erdogan ka paralajmëruar për rrezikun që vjen nga rritja e islamofobisë dhe ndikimit të së djathtës ekstreme në Gjermani.
Erdogan do të qëndrojë në një hotel pranë Portës së Brandenburgut dhe i gjithë qyteti është thuajse i blinduar nga forcat e sigurisë. Ndërkohë, lajmi se një oficer i policisë gjermane ka përgjuar disidentët turq, për Ankaranë është tregues i mosbesimit reciprok.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë dëmtuar prej vitesh, me Berlinin që është i shqetësuar për tendencat autokratike të Erdogan dhe për arrestimin e 5 shtetasve gjermanë në Turqi, të cilët kanë statusin e të burgosurve politikë./abcnews.al