Dëshmia e ish-oficerit Nuhu, Prokuroria e Tiranës nis hetimet

schedule17:15 - 27 Shtator, 2018

schedule 17:15 - 27 Shtator, 2018

Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim në lidhje me dëshminë ish-oficerit të policisë, Emiliano Nuhu, i cili pretendoi të ishte kërcënuar me jetë në Postën e Policisë Fushë-Krujë në prani të zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste. Ndërkohë prokuroria po heton kallëzimin  e Nuhut për kanosje nga dy anëtarëve të familjes Rraja në një lokal në Tiranë, por këqyrja e pamjeve filmike të takimit ka zbehur këtë pretendim.

Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim në lidhje me dëshminë e publikuar të mërkurën të ish-oficerit të policisë së Krujës, Emiliano Nuhu. Ish-polici i larguar nga vendi pretendonte se ishte kërcënuar me armë në postën e policisë Fushë-Krujë, në prani të deputetit të PS-së Taulant Balla dhe kryebashkiakut të Krujës, Artur Bushi, pasi kishte marrë denoncimin e një vajzë kundër djalit të deputetit tjetër të maxhorancës Rrahman Rraja. Prokuroria ka nisur verifikimet paraprake për të vlersuar praninë e elementëve të veprës penale në rrethanat e paraqitura në dëshmi. Për këtë qëllim është administruar materialin filmik dhe zanor të ish-oficerit të policisë.

Paralelisht Prokuroria e Tiranës po heton mbi kallëzimin e bërë nga ana e ish-oficerit Nuhu për “kanosje për shkak të detyrës”. Në kallëzimin e bërë në 1 shtator, Nuhu pretendon se është kërcënuar nga dy të afërm të deputetit në një lokal në Tiranë. Burime pranë Prokurorisë konfirmuan për “ABC News” se takimi në fjalë është zhvilluar në një lokal në zonën e Unazës së Re në kryeqytet. Prokuroria ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit, të cilat nuk kanë audio. Nga këqyrja e pamjeve rezulton se tre personat janë takuar, kanë biseduar dhe janë përshndetur me shtrëngim duarsh. Në deklarimet e dhëna për llogari të hetimit dy familjarët e Rrajes kanë pohuar se janë takuar vetëm për të diskutuar dhe kanë mohuar çdo kërcënim ndaj oficeri Nuhu. I njëjti fakt konstatohet edhe nga gjuha e trupit e tre personave në këtë takim.

Hetimi ka zbuluar se takimi është lënë në një komunikim në ëhatsaap mes tyre dhe oficerit. Në analizë të komunikimit, të sekuestruar nga telefoni i njërit prej tyre, rezulton se i kanë kërkuar të takohen për të folur dhe se nuk ka ndonjë frazë kërcënuese./abcnews.al