Dy sasitë e konsiderueshme të kokainës të kapura më 1 dhe më 9 prill në vendin tonë tregojnë një aktivizim të grupeve kriminale për të përdorur portin e Durrësit si vend pritjeje të ngarkesave. Kështu është shprehur gazetari Artan Hoxha në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC, në lidhje me sasitë e drogës të kapura së fundmi në portin e Durrësit.
Gazetari shpjegoi se 143 kilogramët e kokainës së sekuestruar më 9 prill duken që janë ndarë që në vendin e origjinës për porositës të ndryshëm.
“Edhe cilësia e saj mund të jetë e ndryshme në varësi të pagesës.”
Gazetari tregoi në studio foton një pajisje në pjesën e jashtme të një kontejneri në të cilën u sekuestrua më pas një sasi e konsiderueshme kokaine. Ai theksoi se jo gjithnjë porositësit e bananeve janë porositësit e kokainës.
“Kontejnerët që vijnë me banane janë frigoriferikë. Kjo është pajisja e një kontejneri që ka ardhur nga Ekuadori. Do 25 ditë ta sjellë anija në port. Pas 4 ditësh e mori një kompani që e kishte qendrën në Patos, ajo mori bananet. Një grup i armatosur ka marrë rojet e kompanisë, ka grabitur në pjesën e jashtëm kokainën. Jo gjithmonë porositësit e bananeve janë porositës të kokainës. Vetëm në një vit, një kompani sjell 800 kontejner në vit. Në treg janë diku tek 13-14, kompani në treg.”
Artan Hoxha shpjegoi gjithashtu edhe si funksionon vendosja e ngarkesës së drogës nga ana e grupeve kriminale.
“Në raste të tilla, grupet kriminale, dërguesit, ndërhyjnë tek kontejnerët në pjesën e jashtme. E dërgojnë vendin ku kanë bërë modifikimin… Një kompani porosit një ngarkesë me banane nga kompanitë e Ekuador. Nuk është kompania që ka kontejnerët. Para se të shkojë për bananet, kontejneri kontrollohet në skaner, pasi ngarkohet, kontrollohet prapë. Dhe nga ai moment, deri kur do ikë në anije kalojnë 20 ditë. Këtu bëhet ndërhyrja nga grupet kriminale.”
Duke u rikthyer tek sasitë e kokainës së kapura së fundmi, gazetari tha se në të dyja rastet kokaina ka qenë në pjesën e jashtme.
“Të dyja ngarkesat me kokainë ka qenë në pjesën e jashtme të kontejnerit. Nëse do ishte bashkëpunim, do të pritej derisa të vinin ta merrnin porositësit. Në ndërhymë dhe vumë para përgjegjësisë ata që morën bananet. Më bën çudi që brenda fushatës elektorale, dy ngarkesa dërgohen në Portin e Durrësit. Nga dy linja të ndryshme.”
Ndërsa lidh ngjarjet me kohën e fushatës, Hoxha thotë se dy janë mundësitë: Ose grupet kriminale kanë marrë garanci që në këtë kohë vigjilenca e autoriteteve është e ulët, ose është skaneri, i sjellë nga një kompani jo shqiptare, që po e bën siç duhet punën.
“Rëndësi ka që kontrollorët e skanerit të Durrësit, nuk ishin të stresuar, edhe pse paguhen 5 herë më pak se ata të Rinasit.” sb/abcnews.al/