Bajerni u ndal për herë të parë në Bundesligë

schedule12:27 - 26 Shtator, 2018

schedule 12:27 - 26 Shtator, 2018

Bajerni u ndal papritur në Bundesligë, madje brenda në fushën e tij. Kampionët lanë disa titullarë në stol dhe u ndëshkuan për gabimet që bënë ndaj Augsburgut.

Mund jesh kampion, madje me diferencë të madhe me të tjerët, por kjo nuk të jep të drejtë gjithnjë. Bajerni, me një potencial të frikshëm për rivalët në Bundesligë, u besua se do ta kalonte pa shumë probleme sprovën e mesjavës ndaj Augsburgut, veçse përfundimi doli ndryshe. Edhe pse u luajt në “Alianc Arena”, dhe ndaj një kundërshtari që ndodhet poshtë mesit të tabelës, fitorja nuk u arrit. Në barazimin 1-1 ndikoi padyshim mungesa e disa prej titullarëve që trajneri Niko Kovaç i kishte lënë në stol për t’i shlodhur. Robert Levandovski dhe Hames Rodrigez nuk luajtën asnjë minutë, ndërsa Tiago Alkantara u fut në fushë vetëm çerek orën e fundit.

Për fat të keq, alternativa e Levandovskit, sulmuesi i kombëtares gjermane, Sandro Vagner, nuk e justifikoi plotësisht aktivizimin, ndërsa portugezi i ri, Renato Sançez, u përpoq shumë, por nuk u tregua i saktë. Bajerni iu fal sërish veteranit Arjen Roben, që shënoi golin e vetëm të vendasve në këtë sfidë, në fillim të pjesës së dytë. Gjithsesi, bavarezët nuk e patën atë vullnetin e zakonshëm për ta mbyllur ndeshjen një herë e mirë. Kjo dobësi, bashkë me humbjen e rasteve të shumta, bënë që kampionët të pësonin atë që ndodh shpesh në futboll, një gol katër minuta para fundit, atëherë kur nuk kishte shumë kohë për të reaguar. Gjigandët e Gjermanisë u detyruan të pranonin barazimin që vështirë se do t’i prishë punë për titullin, por që tregoi se gabime të tilla, nëse bëhen në Champions, të dënojnë përfundimisht./abcnews.al