Moment i mirë për Real Madrid. Kampionët në fuqi të Spanjës, numërojnë 12 rezultate pozitive radhazi në të gjithë kompeticionet. Në mesjavë erdhi fitorja 3-1 ndaj Liverpool në duelin e parë çerekfinal të Champions League, teksa nesër është radha e El Clasicos.
Djemtë e Zinedine Zidane presin Barcelonën në Madrid, sfidë që nis prej orës 21:00. Të dy ekipet ndodhen në garë për fitimin e titullit kampion bashkë me Aleticon kryesuese. Trajneri Zidane foli për mediat rreth një prej dueleve më spektakolarë në botë, ku ndër të tjera tha:
“Sergio Ramos nuk do të luajë nesër, mëkat që nuk do e kemi në dispozicion. Shpresoj që ky të mos jetë El Clasico i fundit për të, uroj që të vijojë të qëndrojë te Real Madrid”, deklaron trajneri francez, i cili jep një koment edhe për Kylian Mbappe, Leo Messin dhe Vinicius Junior.
“E njoh Kylian, njihemi shumë mirë me njëri-tjetrin, por ai nuk është lojtari im dhe nuk mund të flas rreth tij. Të shohim se çfarë do të bëjë në të ardhmen. El Clasico i fundit për Messin? Nuk dua të jetë e tillë, dua që Messi të mos largohet nga Barcelona.
Ai ndihet mirë atje ku është dhe qëndrimi i tij i bën mirë edhe kampionatit. E dimë mirë se çfarë futbollisti është. Ai mund të mos shënojë, por e kemi të qartë se çfarë bën në fushën e blertë. Gjithsesi, Barcelona ka lojtarë të tjerë shumë të mirë.
Do të tentojmë t’i bllokojmë pikat e tyre të forta. Jemi pozitive dhe gati për të dhënë gjithçka nga vetja. E kam thënë edhe më parë që gara për titullin do të jetë e ashpër deri në fund. Kanë mbetur shumë pikë në lojë, ka konkurrencë të madhe dhe nuk dihet se kush do e fitojë titullin.
Vinicius Junior? Po e shijojmë momentin e Vinicius, por duhet ta lëmë të qetë dhe të mos merremi shumë me të. Ai është i ri, kështu që nuk është diçka e mirë të flasim shumë për të. Ka shumë zhurmë rreth tij, por ai është një tip i qetë dhe kjo gjë më pëlqen“, përfundoi Zidane. /abcnews.al