Xhaçka: Shqiptarët faktor stabiliteti për paqen në rajon

schedule15:35 - 24 Shtator, 2018

schedule 15:35 - 24 Shtator, 2018

1200 ushtarakë nga Britania e Madhe, Kroacia, Kosova, Shqipëria dhe Sllovenia zhvilluan një stërvitje shumëpalëshe në Tiranë. Për ministren e Mbrojtjes, kjo është një dëshmi e partneritetit me aleatët në NATO.

Ka një arsye të rëndësishme pse është përzgjedhur krijimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e vë theksin në kontributin e vendit tonë në Aleancë.

“Kuçova nuk është zgjedhje rastësore, por vjen pas seriozitet dhe rolit të shqiptarëve si faktor stabiliteti për paqen në rajon”, tha Xhaçka.

Në stërvitjen shumëpalëshe Albanian Lion 2018 ministrja Xhaçka përshëndeti 1200 ushatarakët e përfshirë në këtë stërvitje, të cilët janë nga Britania e Madhe, Kroacia, Kosova, Shqipëria dhe Sllovenia.

“Kjo stërvitje e përbashkët shumëkombëshe bëri bashkë 1200 trupa dhe dhjetra mjete. Për herë të parë në këtë stërvitje ishte edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila po ngrihet dhe po tregon dita-ditës seriozitet. Zhvillimi i kësaj stërvitje tregon aftësitë ndërvepruese dhe kohezionin ndërmjet Forcave tona të Armatosura dhe aleatëve për rritjen e sigurisë së jetës”, u shpreh Xhaçka.

Pjesëmarrja në operacione dhe stërvitje të tilla i ka rritur profesionalisht Forcat e Armatosura tha ministrja Olta Xhaçka, sipas të cilës, kjo stërvitje i paraprin një tjetër eventi shumë të rëndësishëm. Pas shumë vitesh, ekspertë të NATO-s do të certifikojnë grup-batalionin e parë me 1600 ushtarakë, që për herë të parë certifikohen si të stërvitur, të mirëpajisur dhe të ndërveprueshëm në standardin më të mirë të NATO-s, për të qenë kudo ku Aleanca do të ketë nevojë./abcnews.al