Historia e Silvia Dedjës është një rrëfim këmbënguljeje, ambicieje dhe sfidash të fituara. Sot ajo njihet si një nga emrat shqiptarë që po lë gjurmë në industrinë elitare të jahteve luksoze, një botë e mbyllur ku dominimi mashkullor dhe konkurrenca ndërkombëtare janë të forta.
E nisur si studente në Itali, Silvia zgjodhi të ndjekë detin, një pasion që e çoi drejt Monakos, aty ku ëndrrat e saj morën formë konkrete. Fillimet nuk kanë qenë të lehta. “Kam punuar më shumë se të tjerët për të vërtetuar aftësitë e mia si një grua shqiptare”, rrëfen ajo, duke theksuar se mbështetja e familjes ka qenë vendimtare në çdo hap.
Sot, së bashku me bashkëshortin, ajo menaxhon një kompani në Monte Karlo dhe administron 7 jahte luksoze, duke operuar në një treg ku çdo detaj përkthehet në miliona euro. Çmimi i një jahti nuk është kurrë i njëjtë, ai varet nga dizajni, historia, teknologjia dhe shërbimi që ofron.
Shqipëria, sipas saj, po kthehet në një “hotspot” të ri për super-jahtet në Mesdheun lindor. Mbi 500 jahte kanë vizituar brigjet shqiptare, ndërsa interesi i pronarëve të huaj po rritet ndjeshëm. Një industri që mund të ndryshojë hartën turistike të vendit.
Mes përvojave të saj më të veçanta është edhe jahti gjigant “Carinthia VII”, një mrekulli 97 metra e gjatë, me vlerë rreth 180 milionë euro. I pajisur me parket 300-vjeçar nga një manastir i shekullit XVII, ai përfaqëson një ndërthurje unike mes historisë dhe luksit modern. Vetëm qiraja javore arrin në 1.4 milion euro, ndërsa me shpenzime shkon deri në 2.5 milion.
Në bord punojnë rreth 40 persona, ku çdo i ftuar ka në dispozicion tre anëtarë të stafit. Një botë ku çdo detaj është i menduar për perfeksion, nga ngjyrat e mureve që errësohen me çdo kat, deri tek hapësirat që ndajnë në mënyrë perfekte luksin e brendshëm me atë të jashtëm.
Historia e Silvia Dedjës nuk është thjesht një sukses personal, është një dëshmi se si një vajzë nga Kuçova mund të vendosë Shqipërinë në hartën e elitës globale të luksit detar. Dhe ndoshta, ky është vetëm fillimi…


