Nesër rikthehet Serie A, që zhvillon javën e 29-të. Milani pret Sampdorian në “San Siro”, sfidë që nis prej orës 12:30. Trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli flet rreth gjendjes së skuadrës së tij dhe ekipit kundërshtar në konferencën për shtypin.
“Nëse do të kisha mundësi, do i kisha dhënë edhe disa ditë të tjera pushim skuadrës. Lojtarët e kanë të nevojshme të çlodhen. Ata që kanë qenë këtu kanë punuar mirë, por në gjendje të mirë ndodhen edhe lojtarët që kanë luajtur me kombëtaret, përveç Brahim Diaz.
Ne besojmë shumë te puna jonë. Mënyra jonë është e bazuar te puna, qetësia dhe besimi. Kanë mbetur edhe 30 pikë në lojë, 10 ndeshje nuk janë pak. Nesër na pret një ndeshje e vështirë kundër Sampdorias, që është një skuadër e mirë.
Ata drejtohen nga Ranieri, të cilin e vlerësoj shumë për faktin që ka qenë trajneri nga i cili kam përfituar më shumë gjatë karrierës time. Rinovimet? Unë shoh qetësi në sytë e Donnarumma, Calhanoglu dhe Ibrahimovic. Ata e dinë se e ardhmja e tyre është ky moment.
Sigurisht që kualifikimi ose jo në Champions League, ndryshon shumë gjëra për të gjithë ne. Ekipi është i përqendruar. Ibra? Zlatan ndihet mirë, kemi biseduar çdo ditë me njëri-tjetrin. Jam i lumtur që u rikthye në kombëtaren suedeze.
Nuk e shoh të lodhur, stërvitjet kanë shkuar mirë për të gjithë. Zlatan ndihet i karikuar dhe gjithçka është në rregull në lidhje me të. Nuk dua të mendoj për rinovimet, jemi të fokusuar vetëm te takimi me Samdorian“, deklaroi trajneri i Milanit. /abcnews.al