Platforma për denoncimin e krimit zgjedhor, Meta në ABC: Kemi 40 raste deri më sot, do publikojmë emra

schedule21:37 - 1 Prill, 2021

schedule 21:37 - 1 Prill, 2021

Në platformën “Denonco Krimin Zgjedhor” deri më tani kanë ardhur diku tek 30 deri në 40 denoncime. Lajmin e bëri të ditur Presidenti i Republikës Ilir Meta, i ftuar mbrëmjen e kësaj të enjteje në “Log” me Endri Xhafon.

Siç ka bërë të ditur edhe më herët Meta, nëpërmjet kësaj platforme qytetarët kanë mundësi që të denoncojnë çdo falsifikim apo çdo cënim të votës.

Po ashtu, kreu i shtetit u shpreh se për çdo denoncim do të behët transparencë dhe se do të publikohen emra. Ndërsa, i pyetur se kjo iniciativë nuk është marrë nga opozita por nga vetë ai, Meta tha se nëse opozita do të kishte dëgjuar presidentin, situata në vend do të ishte ndryshe sot.

“…Një nismë e mirëmenduar, në kushte mosfunksionimi institucionesh. Ndryshe nuk do të guxonte njeri… Pa asnjë diskutim që çdo veprim do të jetë transparent, në ditët ardhshme do të ketë diskutime për çështje konkrete, e persona konkretë. Do të bashkëpunojmë edhe me institucione…”

Më tej, kreu i shtetit u shpreh se ai që ka nuk ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën nuk ka pse të ketë frikë nga burgu. Sipas tij, parlamenti që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit do të kthejë drejtësinë në vend.

“Ai që nuk ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën nuk ka pse te ketë frikë nga burgu. Burgu është për ata që shkelin Kushtetutën dhe jo për qytetarët e thjeshtë, që bëjnë kundravajtje administrative.  Burgu është edhe për ata, peshkaqenët e mëdhenj, për trafikantët ndërkombëtarë. Parlamenti i ri, i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit do të kthejë drejtësinë në vend. Në Shqipëri tani të gjithë e dinë që, vettingun e bën Ëngjëll Agaçi…” sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!