Kryeministri Edi Rama i njeh një meritë Lulzim Bashës. Nga Lezha, kreu i qeverisë tha se rivali i tij politik, nuk është problemi i reformës në drejtësi. Të keqen e madhe, Edi Rama e shikon te Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
Për këtë arsye, ai u kërkon lezhjanëve që të mos e votojnë opozitën në 25 prill, pasi pas Lulzim Bashës qëndron treshja tjetër.
“Përse duhen votuar këta? Se do sjellin drejtësinë? Mendoni që është koha që ne të kthehemi mbrapsht dhe pastaj ka qenë shumë vonë kur i kemi rënë kokës me grushte.
Gjithë këto përpjekje për ta vendosur drejtësinë në një rrugë të re dhe që tani që është momenti për t’i dhënë mbështetjen maksimale Reformës në Drejtësi, që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, të sjellim Ilirin, Monikën? Se Luli nuk është problemi këtu, të jemi realisht. Luli nuk është problemi.
Luli është këtu deri në datë 25 me shpresë që nusja do të merret, në momentin merret nusja, “Gjinua” kthehet në dhomën e kalamajve. Me nusen merret Saliu, Iliri dhe Monika. Që të jemi të qartë. Këta të tre mendoni ju se do ta lënë drejtësinë të bëhet sikur e doni ju, SHBA-BE? Kurrë, kurrë, asnjëherë” tha ai.
Për demokratët lezhjanë, Rama kishte një këshillë, që atij ti japin votën dhe foton e Lulit ta marrin dhe ta vendosin në shtëpi nëse e duan. “Kjo nuk është një ndeshje futbolli. Lezha në futboll sot është qamet, por të jesh me Besëlidhjen nuk është për të ardhur zor, unë jam me Besëlidhjen dhe ka marrë fund kjo punë.
Por të dielën luan Besëlidhja dhe të hënën fillon jeta normalisht, nuk të jep bukë Besëlidhja, as rrugët nuk i shtron, as punë nuk të jep. Një pyetje kam për biznesmenët e vegjël që janë me PD-në. E kanë taksën zero. Nuk po ju pëlqej unë? Nuk po ju kërkoj të bëjmë krushqi.
Unë kam treguar se këtë punë di ta bëj. Nëse nuk më do mua, dhe do Lulin merre foton e atij dhe vendose, në dyqan apo shtëpi, por taksën do të ma japësh mua, se taksën zero ta garanton kjo palë”./ db/ Abcnews.al


