Kampionët e Europës nisin sot Champions-in

schedule16:14 - 19 Shtator, 2018

schedule 16:14 - 19 Shtator, 2018

Reali i Madridit rikthehet në Ligën e Kampionëve pas suksesit të vitit të kaluar. Skuadra e madhe spanjolle pret Romën në orën 21:00, ndërsa këtë vit është pa Ronaldon dhe trajnerin Zidane.

Thuajse kushdo do të ishte ende në eufori të plotë pas këtij momenti.

Fitorja e Champions-it është një nga mrekullitë më të mëdha dhe më të vështira në jetën e një lojtari e të një ekipi, veçse tek Reali, relativiteti ndihet më shumë.

Madrilenët e kuptojnë më së miri teorinë e jashtëzakonshme të Ajnshtajnit, se kjo botë është gjithnjë në lëvizje dhe se për hir të së sotmes, duhet të harrosh të shkuarën.

Do të thotë se përqëndrimi duhet të jetë totalisht tek ndeshja e parë e sezonit, sonte ndaj Romës në orën 21:00.

Në Maj u fitua titulli i 13-të kampion i Europës, një rekord që mund të quhet i paarritshëm dhe trajneri i ri, Lopetegui dëshiron ta nisë aty ku e la Zinedine Zidane, duke mos pasur Cristiano Ronaldon.

“Nuk ka nevojë të sqaroj se çfarë do të thotë kjo garë për ne dhe se çfarë do të thotë Reali i Madridit për Champions-in. Le të flasim për ndeshjen sotme ndaj Romës, një kundërshtar që do të na e bëjë shumë të vështirë fitoren. I bëj thirrje më shumë entuziazmit dhe padyshim ambicies së lojtarëve. Vjet, Roma eleminoi Atletikon në grup dhe Barcelonën në çerekfinale. Ajo është përmirësuar edhe më shumë, ndaj pres që ta kemi shumë të vështirë. Duhet të lodhemi shumë për të fituar”, tha ai.

Roma u përgatit këto ditë, duke e ditur mirë se çfarë detyre e pret.

Për fat, trajneri Di Françesko nuk ka probleme me dëmtimet dhe pezullimet.

Po ashtu, italianët udhëtuan drejt Madridit, me besim pasi vjet mundën Atletikon, Chelsea-n dhe Barcelonën.

“Shqetësimi im më i madh tani për tani është mbrojtja, ku duhet të përmirësohemi shumë. Pa mbrojtje të fortë nuk mund të fitosh, sidomos kur luan në këto nivele dhe në fushën e Realit. Vitin e kaluar në arritëm diçka të jashtëzakonshme, që askush nuk besonte se do ta arrinim, por tani pretendimet janë rritur. Kjo do të thotë se ne duhet të paraqitemi edhe më mirë se vjet. Jemi në Madrid për rezultat, por jam i bindur se Reali është kundërshtari më i fortë i mundshëm dhe se do të vazhdojë të fitojë edhe pa Ronaldon”.

Dy skuadrat janë ndeshur 10 herë në të kaluarën, me Realin që ka 6 fitore dhe Romën tre, ndërsa një përballje është mbyllur në barazim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!