Durrës, brenda vitit qyteti do të ketë tre herë më shumë ujë të pijshëm

schedule16:40 - 19 Shtator, 2018

schedule 16:40 - 19 Shtator, 2018

Me përfundimin e punimeve të ujësjellësit të ri Durrësit nuk do të ketë probleme me ujë të pijshëm. Ky ujësjellës parashikon të çojë banorëve tre herë më shumë sasi uji krahasuar me gjendjen aktuale.

Ankthit për të ndezur pompën e ujit po i vjen fundi për banorët e Durrësit. Brenda vitit qyteti i bregdetar pritet të furnizohet me tre herë më shumë sasi uji në ditë se aktualisht.

Kjo do të mundësohët përmes ujësjellësit të ri, ndërtimi i të cilit po shkon drejt fundit. Ndërtimi i linjës së transmetimit prej 60 kilometra nga puset deri në Durrës, ka përfunduar në pjesën me të madhe të tij.

Artan Cahani, supervisor i kompanisë, e cila ndjek ecurinë e punimeve, thotë se ka përfunduar së ndërtuari 40 kilometra linjë me tubacion të cilësisë së lartë, i cili ka jetëgjatësi dhe garanton furnizimin me ujë të pijshëm sipas parametrave evropiane.

Drejtori i degës teknike pranë Ujësjellës Kanalizime Durrës, Lorenc Facja, shprehet se ujësjellësi i ri do të jetë vetëm për të furnizuar me ujë qytetin e Durrësit. Kurse prurjet e tij do të jenë afro 630 litra ujë në sekondë, sasi kjo tre herë më e madhe sesa furnizimi aktual.

Nga 7 puset që janë hapur me prurje 105 litra në sekondë secili, njëri do të jetë rezervë. Ata do e dërgojnë ujin 10 kilometra larg, pranë hidrovorit në fshatin Adriatik të Kurbinit, ku gjendet stacioni i pompave dhe depoja me kapacitet 1400 m3.

Nga këtu, uji pompohet me anë të 6 pompave drejt depos së Bizës e cila ka kapcitet 700 m3 dhe gjendet në një distancë prej 14.5 kilometra larg nga stacioni i pompave dhe lartësi 186 m mbi nivelin e detit.  Nga kjo depo uji do të mbërrijë me rrjedhje të lirë në Durrës në një gjatësi prej 36 kilometra.

Punimet për ujësjellësin e ri nisen në Shkurt të vitit 2016, pas nënshkrimit të marrëveshjes për dhënien e kredisë në shumën 31.6 milionë euro midis bashkisë Durrës dhe Bankës Botërore. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!