Strakosha: Ëndërr të luash në Premier League. Fitore ndaj Anglisë? Do ishte e pabesueshme

schedule14:17 - 26 Mars, 2021

schedule 14:17 - 26 Mars, 2021

Jemi në hapësirën e kombëtareve dhe e gjithë vëmendja e medieve është projektuar në ndeshjet e skuadrave përfaqësuese. Kundërshtari i radhës për Anglinë është Shqipëria dhe tashmë vëmendja e medieve ishullore kalon te ne.

The Guardian, një nga mediet më prestigjoze në Angli së fundmi ka intervistuar Thomas Strakoshën, gardianin e Lazios dhe kombëtares kuqezi. 25-vjeçari ka fjalë të mëdha për Premier League, në një kohë kur flitet çdo ditë e më shumë për largimin nga Lazio.

“Është diçka entuziazmuese të përballesh me Anglinë për ne dhe një moment i madh për të gjithë sepse Anglia ka disa nga talentet më të mëdhenj në botë dhe se Premier League është kampionati më i mirë në botë. Të luash ndaj lojtarëve të tillë të lë të kuptosh se je në një nivel për të konkurruar me ta.

Fitore ndaj Anglisë? Mendoj se do të ishte e pabesueshme, sidomos tani me situatën e Covid-19. Do të ishte diçka shumë e mirë për tifozët sepse ka qenë periudhë shumë e vështirë për ta. A më tërheq kampionati anglez? Më pëlqen sesi luajnë në Premier League.

Ata luajnë shpejt, ka shumë gjuajtje drejt portës dhe ke shumë punë për të bërë. Mua më pëlqen të kem shumë punë sepse më lejon të tregoj më të mirën dhe më rrit adrenalinën. Unë besoj se Premier League ka futbollin më të mirë: shpejtësinë, reagimi që ke kur sheh një ndeshje… Sheh ndeshje ku rezultati është 3-0 deri në minutën e 88 e pastaj mbyllet 3-3.

 

Ka momente të çmendura në Premier Ligë dhe tifozët janë aq afër fushës, është e pabesueshme. Do të dëshiroje të luaje 2 ndeshje në ditë për ndjesinë e pabesueshme që të jep. Kur kam qenë atje për të luajtur miqësore kundër skuadrave angleze, atmosfera ishte e pabesueshme. Të gjithë e kanë ëndërr të luajnë në Premier League.

U dashurova me futbollin që kur isha i vogël falë babait tim. U dashurova shumë shpejt me rolin e portierit gjithashtu, më pëlqente të vendosja dorezat, të shihja tim atë të priste topin dhe të ndalonte gjuajte që të mos lejonte ekipet të shënonin.

Për mua, ishte dashuri me shikim të partë. Ajo që babai dhe familja ime më kanë treguar për jetën, jo vetëm futbollin, është se ata që punojnë shumë, mund të kenë karrierë të mëdha në çfarëdo profesioni që të zgjedhin.

 

Thomas Strakosha

Lojtarë nga vende të ndryshme të Shqipëria? Çdo lojtar që vjen nga një vend tjetër, mund ta shohësh që stili i tyre është i ndryshëm. Nëse do të jemi të zgjuar, mund të vjedhim ide nga njëri-tjetri dhe bëjmë kombinimin perfekt në skuadër. Kemi shumë lojtarë të rinj, por edhe veteranë, ndaj kemi grupin perfekt.

E vetmja gjë që duhet të bëjmë tani, është të jemi të pjekur dhe t’i marrim gjërat ndeshje pas ndeshje, që të bëjmë realitet ëndrrën tonë për të shkuar në Botëror. Por kam bindjen se kemi talentin e duhur dhe me stafin e trajnerin, kemi një situatë të mirë për të bashkuar stile të ndryshme nga vende të ndryshme në një skuadër te Shqipëria”, u shpreh Strakosha. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!