Rrëzimi i avionit rus në Siri ka futur në sherr Parisin me Moskën. Kremlini ka konsideruar përgjegjëse një frigatë franceze për incidentin, ndërkohë që diplomacia franceze ka reaguar duke deklaruar se makineria ruse e lajmeve të rreme ka dalë nga kontrolli.
Franca ka akuzuar të martën Rusinë se ka përhapur lajme të rreme, pasi Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se një frigatë franceze në Mesdhe kishte qëlluar raketa ndaj Sirisë. Ministria deklaroi fillimisht se një avion rus ishte rrëzuar nga avionët izraelitë dhe se sistemi rus i kontrollit kishte zbuluar raketa të qëlluara nga frigata franceze “Auvernje”.
Por më vonë i njëjti dikaster bëri me dije se avioni ishte qëlluar nga sistemet siriane anti-raketë, si pasojë e një sërë rrethanave që presidenti Putin i cilësoi të rastësishme dhe tragjike. “Makineria ruse e lajmeve të rreme ka dalë nga kontrolli, duke akuzuar Francën se ka qëlluar një avion luftarak rus, që në të vërtetë ishte qëlluar nga zjarri aleat i Sirisë”, ka deklaruar ambasadori francez në Uashington, Zherard Araud.
Ndërkohë, një zëdhënës i ushtrisë franceze ka mohuar që Franca të jetë përfshirë në incident dhe që të ketë qëlluar raketa drejt Sirisë. Sidoqoftë, mediat ruse kanë vijuar me lajmet që ia atribuonin përgjegjësinë e incidentit palës franceze. Një ekspert ushtarak ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Tass” se Parisi zyrtar është pjesërisht fajtor për shkak se kishte qëlluar raketat që sipas tij ndërlikuan rrethanat që çuan në rrëzimin e avionit. Ndërkohë, Presidenca, Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes në Paris nuk i janë përgjigjur ende akuzave të Moskës./abcnews.al