Ligji për Teatrin, mazhoranca miraton e vetme ndryshimet e reja

schedule16:38 - 18 Shtator, 2018

schedule 16:38 - 18 Shtator, 2018

Diskutimi parlamentar i ligjit për teatrin, i kthyer nga Presidenti Meta, riktheu opozitën në komisionin e veprimtarive prodhuese, por votat pro dekretit ishin vetëm të mazhorancës. Pas mbledhjes opozita akuzoi mazhorancën se po shkel sërish kushtetutën, ndërsa kjo e fundit tha se PD vijon të bëjë zhurmë.

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj deklaroi për mediat se maxhoranca e kaloi Dekretin për ligjin për Teatrin pa procedurë, çka sipas tij tregon se votimi i sotëm provoi që ky ligj është antikushtetues.

“Ligji për Teatrin është vjedhje e hapur. Votimi i sotëm provoi që ligji për Teatrin është antikushtetues. Maxhoranca e kaloi Dekretin për ligjin për Teatrin pa procedurë”.

Nga ana e tij Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi u shpreh se shumica ka vendosur që të pranojë dekretin e Presidentit për të bërë disa ndryshime në ligj, ndërsa akuzoi opozitën se vijon me skenat fyese në komisionet parlamentare.

“Opozita vijon me skenat fyese në komisionet parlamentare. Votuam dekretin e Presidentit dhe amendamentet e propozuara. Opozita pa asnjë lloj platforme, ka zgjedhur të bëjë zhurmën. Sot jemi me një draft të ligjit për Teatrin që do ja paraqesim Kuvendit”– theksoi Shalsi. /abcnews.al