Ministrja e Arsimit Evis Kushi, e mbështeti fjalimin e saj në hapjen e fushatës elektorale të PS në figurën e kryeministrit Edi Rama. Ajo u shpreh se është krenare për punët që PS ka bërë në Elbasan. Lidhur me figurën e shefit të qeverisë, Kushi deklaroi se për diçka bien dakord edhe kundërshtarët e tij, që është i vetmi njeri që ka energjinë për të çuar përpara Shqipërinë.
“E mora tetë vite më parë. Në atë kohë drejtoja me shumë dashuri fakultetin ekonomik në qytetin e Elbasanit. Në fillim hezitova se nuk isha e bindur a duhet ta lija universitetin për politikën. I jam mirënjohëse Edi Ramës. Jam krenare që së bashku kemi bërë shumë për qytetin tim. As në ëndrrat më të bukura nuk e kisha menduar atë që është bërë në Elbasan në këto 7 vite.
Kemi bërë më shumë për një kategori që unë e kam shumë përzemër. E kam fjalën për studentët dhe universitetin. Sot pas tetë vitesh drejtoj institucionin më të lartë arsimor ku kam gjetur baza të shëndosha falë punës së Linditës dhe kolegëve të nderuar të këtij institucioni. Kemi përpara një sfidë të vështirë të jashtëzakonshme por ama të bukur, Kemi privilegjin e lartë për t’i shërbyer njerëzve. Vetëm skuadra e Edi Ramës dhe PS mund të bëjë më shumë për Shqipërinë e të ardhmes.
Kryeministri ka shumë adhurues por edhe shumë kritikë. Për diçka biem të gjithë dakord. Edi Rama ka energjinë, vizionin për të bërë Shqipërinë e të ardhmes dhe nuk tërhiqet asnjëherë. Kam besim që Elbasani do të votojë për njeriun e punës dhe skuadrën e përkushtuar për Shqipërinë dhe jo për një grup kartash të djegura”, deklaroi Kushi./mv.abcnews.al