“Lega Nord”, partia e ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini, ka arritur një marrëveshje me prokurorinë e Xhenovas, pasi u shpall fajtore për mashtrim në dëm të shtetit. Borxhi prej 49 milionë euro ndaj shtetit italian, do të shlyhet me këste për 80 vjet.
Është arritur marrëveshja mes prokurorisë së Xhenova dhe avokatëve të Lega Nord në Itali, për sa i përket mënyrës se si partia e ministrit të Brendshëm Salvini do t’i kthejë shtetit italian 49 milionë euro.
Sipas marrëveshjes, partisë Lega do i sekuestrohen 600 mijë euro në vit, ndërsa avokatët kanë pranuar hapjen e një llogarie bankare ku do të hidhet shuma deri sa të arrihet totali prej 49 milionë eurosh. Gjykatësit shpallën fajtor partinë e zëvendëskryeministrit Salvini për mashtrim në dëm të shtetit, por kjo mënyrë dënimi do i lejojë partisë të mbijetojë
Nëse do të konfirmohet dhe nga apeli, sekuestrimi i 49 milionë eurosh mund të zgjasë për 80 vjet nëse pagesa do të jetë 600 mijë euro në vit. Arritja e marrëveshjes bën të mundur që prokuroria mos të shpenzojë më shumë në kërkim të këtyre parave
Sipas mediave italiane, Lega do të arrijë të mbledhë këto para duke dhënë me qera ambientet e selisë së saj, dhe nëse të ardhurat do të jenë më të mëdha atëherë dhe prokuroria do të tërheqë më shumë se 600 mijë euro në vit./abcnews.al