Piktori i njohur Vangjel Gjikondi rrëfen historinë e Skënderbeut përmes 55 tablove monumentale. Artisti, i cili i ka dedikuar 10 vite realizimit të këtyre tablove, sjell figurën e Heroit Kombëtar. Kjo ekspozitë vjen në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Sapo vë këmbën në Muzeun Historik Kombëtar, befasohesh teksa përpara të dalin tablo gjigande ku në qendër është Skënderbeu. Realizimi i kesaj pikture monumentale i ka marrë jo pak, por 10 vite punë intensive piktorit të njohur Vangjel Gjikondi. Kënaqesia e prezantimit i lexohet lehtë.
Si muzë frymëzimi i ka shërbyer Historia e Marin Barletit, ngjizja e këtyre pikturave, mes klasikes dhe modernes në penelata është kryer nën efektin e muzikës klasike, shpjegon piktori.
Gjithçka nis nga lindja, pagëzimi i Skënderbeut duke përvijuar në beteja të ndryshme udhëhequr prej tij.
Synimi ka qenë që të pasqyrojë sa më njerëzore figurën e Skënderbeut, rrëfen Gjikondi.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 shtator në Muzeun Historik Kombëtar, por synimi është që ta shtegtojë edhe në Europë e më gjerë. /abcnews.al