Pse tani? Artan Hoxha zbulon prapaskenat e ekzekutimit të Mond Çekiçit në Durrës

schedule13:29 - 22 Mars, 2021

schedule 13:29 - 22 Mars, 2021

Sa më shumë u afrohemi zgjedhjeve aq më shumë shtohen ngjarjet dhe apo incidentet kriminale në vend. Ky është paralajmërimi që bën gazetari Artan Hoxha në një bisedë me Juli Xhokaxhi në ABC. Kjo, sipas tij, ndodh pasi vëmendja e policisë në këtë kohë është e përqendruar tek lëvizja e liderëve në vend, në kuadër të fushatës.

“Në këtë situatë, do të ketë edhe të tjera në vijimësi. Situata në tërësi i ndihmon elementët kriminelë, me një mundësi të tillë të artë,” u shpreh Artan Hoxha.

Duke folur për eliminimin e Edmond Çekiçit më 20 mars, gazetari tregon sesi 40-vjeçari mund të jetë vrarë për t’u përcjellë një mesazh dy personazheve të tjera, Plarent Dervishajt dhe Lulzim Berishës.

Lexo edhe: Edmond Çekiçi u vra me breshëri: Në vendngjarje u gjetën 22 gëzhoja, 30 të shoqëruar

“Çekiçi është një personazh që është përballur shumë mirë me sistemin e drejtësisë. Dhe ka mbijetuar. E gjetën kundërshtarët dhe e eliminuan. Është një personazh i rëndësishëm. Jo i panjohur.”

Duke bërë një krahasim me mënyrën sesi u bë atentati ndaj Plarent Dervishajt në qershor të vitit 2019 në Shkozet, gazetari gjykon se po t’i shohësh të dyja ngjarjet duken thuajse identike.

“Autorët ishin veshur njëlloj si në vrasjen e Çekiçit, më uniforma policie, me kallashnikovë. Moskoordinimi i tyre, bëri që shoferi ta çonte fuoristradën rreth një godine, u ul dhe pati mundësi të zbriste.  Po t’i shohim të dyja ngjarjet janë identike. Nuk është çudi që të jenë të njëjtët autorë, nuk u zbuluan.”

Artan Hoxha shton më tej se goditja e Çekiçit mund të jetë bërë në një mënyrë “foli pragut të dëgjojë dera”, në mungesë të atyre që quhen si drejtues të bandës së Durrësit.

“Plarent Dervishaj ishte emër shumë i madh në Durrës, nuk ishte goditur ndonjëherë. Një nga njerëzit më të afërm të Berishës. Kishin një ftohje, por në këto momente, njeriu më përfaqësues i të dyve në Durrës ishte Çekiçi…Në mungesë të atyre që quhen si drejtues të bandës së Durrësit, njeriu më i rëndësishëm pas tyre ishte Çekiçi.” sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!