Qeveria dhe opozita kanë vijuar traditën e tiradave në distancë, pa rezultat. Kryeministri pati komoditetin të dilte nga një situatë delikate, e madje edhe të merrej me gjeopolitikë. Materiali i përjavshëm i përgatitur nga Mimoza Koçiun me “Politika në ABC News”.
Materiali i përgatitur përmban një trajtim të fillimit të sezonit politik, ku shtatori duket se fillon i qetë dhe kryeministri Edi Rama po menaxhon jo pa sukses disa situata ku ndodhet në vështirësi dhe ku kërkon të ketë një rol të veçantë. Por çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?
Vettingu në politikë, pasi zgjoi interesin publik mbeti një çështje sporadike pasi opozita nuk arriti ta kthejë në temë debati edhe për shkak të strategjisë për të mos marrë pjesë në komisionet parlamentare të Kuvendit.
Taulant Balla u bëri të ditur deputetëve socialistë se nuk do të pranohet propozimi i PD për Vetting në politikë, pasi së pari nuk përfshi familjarët, e së dyti dy strukturat e posaçme hetimore SPAK dhe BKH që do të ngrihen, mund ta bejnë atë.
Gjithashtu Basha me anëtarët e tjerë të Partisë Demokratike nuk iu drejtuan seancës plenare, por një tjetër qyteti ku krimi është problem, në qytetin e Durrësit. Prej aty bëri dhe paralajmërimin e fortë.
Lulzim Basha: “PD do të publikojë fakte që tregojnë se si Edi Rama dhe Fatmir Xhafa kanë përdorur pushtetin politik për të shtënë në dorë lojërat e fatit.”
Prej të enjtes së kaluar Edi Rama konfirmoi se i ka 3 votat e PDIU-së edhe pse kryetari Shpëtim Idrizi shpalli kalimin në opozitë, një fuqi numerike të cilin nuk e ka pasur asnjë nga rivalët e tij dhe që i jep një sigurie që të mos impresionohet nga rivalët e tij, të paktën deri tani./abcnews.al