Gjykata Administrative e Tiranës rrëzoi padinë e ngritur nga 27 banorë të Margegajt në Tropojë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Valbonë. Vendimi u prit me pakënaqësi nga paditësit. Ata hodhën akuza drejt gjykatës dhe pohuan se do ta apelojnë.
Salla e katit të katërt në Gjykatën Administrative të Tiranës u mbush plot. Të pranishmit donin ta dëgjonin me veshët e tyre verdiktin e gjykatës mbi fatin e dy hidrocentraleve në lumin Valbonë.
Ajo ç’ka dëgjuan në minutat në vijim i nervozoi.
Gjykata Administrative rrëzoi padinë e 27 banorëve të njësisë administratie Margegaj dhe shoqatës “Toka” për ndërprerjen e ndërtimit të dy HEC-eve mbi këtë lumë.
Banorët kërkuan anulimin e kontratave koncensionare, dhe lejeve të ndërtimit e atyre mjedisore, me pretendimin se ndërtimi i hidrocentraleve do të sillte një dëm të pariparueshëm për vlerat turistike, faunën dhe florën e këtij vendi.
Argumente dhe provat e tyre nuk bindën gjykatën. Togat e zeza vlerësuan se të gjitha lejet dhe kontratat ku bazohej ndërtimi i HEC-eve ishin të ligjshme.
Ky pretendim ishte parashtruar më herët në proces nga ana e të paditurve, përkatësisht Ministria e Industrisë e Energjitikës, ajo Turizimi e Mjedisit, si edhe nga operatorët ekonomikë të angazhuar në ndërtimin e HEC-eve.
Vendimi i së premtes u shpall nga një treshe gjyqtares e kryesuar nga Elvana Çiçolli dhe anëtarë Avni Sejdi dhe Arbena Ahmeti. Teksa po linin sallën, banorë të Valbonës hodhën akuza në drejtim të gjykatës për një vendim të ndikuar. Ata u shprehën se do të vijonin protestat dhe së do ta ankimonin këtë vendim./abcnews.al
https://youtu.be/ebEiDvUXvNA