Sherri me Gjergj Lucën, Boçi: Telefoni është i imi, ILD të hetojë prokurorinë e Elbasanit, video u montua

schedule13:45 - 19 Mars, 2021

schedule 13:45 - 19 Mars, 2021

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike Luçiano Boçi i kërkon ILD të verifikojë nëse Prokuroria e Elbasanit e ka administruar si provë videon e plotë të ngjarjes së djeshme ku ai përfshihet në konflikt fizik me biznesmenin Gjergj Luca.

Në një deklaratë për mediat, Boçi deklaroi se videon e ka publikuar fillimisht Abc News ndërsa shton se video e cila ka qarkulluar më pas nga sherri është e prerë dhe e montuar nga mediat e maxhorancës, duke hedhur akuza se ajo është dërguar tek ata nga vetë biznesmeni Lluca.

Në lidhje me telefonin që bie në tokë në momentin e sherrit, Boçi thotë se është i tij dhe jo i Lucës, sikurse pretendon biznesmeni.

“Do të kisha qenë i lumtur të dilja të flisja me ju për çështjen reale të krimit elektoral. Bandat kriminale po intimidojnë njerëzit derë më derë. Ka pasur edhe raste kur bandit detyrojnë mbështetësit e opozitës të dorëzojnë kartat e identitetit që të mos votojnë dot më 25 Prill. Duhet të flasim përsëri për Lucën.

Ngjarja dihet, unë nuk kam ndryshuar version. Pas sulmit të fizik të Lucës ndaj meje, i kam hipur makinës dhe kam shkuar drejt në Prokurori për kallëzim penal ndaj tij dhe sekuestrimin e kamerave. Pasi unë jam larguar Luca ka marrë videon.

Në video shihet një telefon i imi që ka rënë në tokë që unë e kam rimarrë. Gjergj Luca prej kësaj ka prodhuar shpikjen qesharake. Abc News nxori mbrëmë një segment të videos e cila mesa duket ka qenë duke u përpunuar në mediat e qeverisë. Kësaj videos i mungon momenti i parë i videos. Fakti që video po shpërndahet nga PS, dëshmon qartë se Luca nuk flet nga pozitat e biznesmenit por është një zgjatim kriminal i maxhorancës.

Është detyrë e prokurorisë të administrojë provat. Me marrjen e videos nga vendngjarja, Luca i ka shtuar vetes edhe një vepër tjetër kriminale.  Do të depozitojmë sot një ankesë në ILD. Ftoj Metanin të verifikojë nëse Prokuroria e Elbasanit e ka administruar si provë videon e plotë të ngjarjes. I bëj thirrje garantëve ndërkombëtarë të reformës në drejtësi të mos lejojnë manipulimin e institucioneve të reja të drejtësisë”, shprehet Luçiano Boçi./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!