Ka shkuar në tre numri i personave të arrestuar në lidhje me vrasjen e një 23 vjeçari në Korçë 6 muaj më parë.
Policia e Korçës këtë të premte ka bërë me dije se në pranga ka rënë një 33 vjeçar i cili akuzohet si bashkëpuntor në zënkën e ndodhur disa vite më parë në një lokal në Korçë ku si pasojë e dhunës ka humbur jetën 23 veçari Marsel Osmani nga fshati Dishnicë.
Ndërkohë në lidhje me këtë ngjarja ndodhen në burg edhe dy nga personat që dyshohet që pas një konflikti për motive të dobëta kanë plagosur me sende të forta shtetasin M. O, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen disa ditë pas ngjarjes, në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Si ndodhi ngjarja
Më 29 gusht të 2016, 23-vjeçari Marsel Osmani nga fshati Dishnicë u dhunua barbarisht nga pronari i një lokali me muzikë tallava, Olsi Zyberi. Ky i fundit e ka rrahur barbarisht me hekur dhe me dru, më pas e ka qëlluar atë edhe me thikë pas koke dhe më e pas e ka lidhur pas makinës duke e tërhequr zvarrë, për ta hedhur më vonë në një kanal.
Sipas policisë së Korçës, 23-vjeçari Osmani kishte shkuar në lokalin e Olsi Zyberit, ndërsa pas një debati për motive të dobëta është rrahur barbarisht nga ky i fundit. Janë të njëjtat burime që bëjnë me dije se, 23-vjeçari Osmani është gjetur mëngjesin e 30 gushtit të vitit të kaluar nga të afërmit e tij në një kanal pranë rrugës nacionale Korçë-Bilisht dhe është transportuar në gjendje kritike në Spitalin e Traumës në Tiranë, por ai nuk ka mundur t’u shpëtojë dot plagëve të marra dhe për pasojë ndërroi jetë 6 ditë pas ngjarjes
Njoftimi i plotë:
Shkon në 3 numri i të ndaluarve, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 29.08.2016, në një lokal në afërsi të fshatit Dishnicë, ku pas një konflikti me sende të forta, gjeti vdekjen një 23-vjeçar.
Ndalohet bashkëpunëtori i tretë i kësaj ngjarjeje, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” me pasojë vdekje, kryer në bashkëpunim.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, u bë ekzekutimi i vendimit penal për ndalimin e shtetasit A. M., 33 vjeç, banues në Korçë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 29.08.2016, në një lokal në rrugën nacionale Korçë-Bilisht, në afërsi të fshatit Dishnicë, Korçë, ku pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasit O. Z., dhe Ll. D., (pronari i lokalit dhe truproja), kanë plagosur me sende të forta shtetasin M. O, i cili si pasojë e plagëve të marra, ka gjetur vdekjen disa ditë pas ngjarjes, në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe provat e grumbulluara, rezulton se bashkëpunëtor me dy shtetasit e mësipërm (të cilët janë ndaluar më parë nga Policia) ishte edhe shtetasi A. M.
Materialet në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.e.su./abcnews.al