Ish-kreministri Sali Berisha ka komentuar fushatën e kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, ndërkohë që nuk kanë munguar grumbullimet e qytetarëve.
Në një intervistë për ABC, me Juli Xhokaxhi, Berisha u shpreh se ka pasur grumbullime ku kryetari i opozitës ka bërë vazhdimisht thirrje që të ruhen distancat.
Duke iu referuar kritikave të kryeministrit Edi Rama, Berisha tha se nëse qeveria do të kishte dëgjuar sugjerimet e opozitës nuk do të kishte sot një situatë të tillë dramatike.
“Unë mund të them këtë. Nëse qeveria do të kishte dëgjuar një të katërtën e sugjerimeve serioze që ka bërë opozita në mënyrë absolute tabloja e pandemisë do të ishte disa herë më pak dramatike. Opozita ka respektuar dhe po respekton rregullat.
Ka pasur disa grumbullime në të cilat kryetari i opozitës u ka bërë thirrje të ruajnë distancën. Kudo e ka bërë dhe ka bërë mirë. Unë ju bëj thirrje qytetarëve nëse dilni ruani distancën dhe mbani maskën. Ka qenë një kohë kur ne bënim thirrje për maskë Rama bënte të kundërtën. Opozita po bën gjithçka çdo ditë për një mirëmenaxhin. Ju i keni parë grumbullimet në institucione. Janë shkollat bombat në vend. janë radhët në zyrat e shtetit. Në këtë aspekt janë hipokrizi e Edi Ramës.
Opozita nuk përdor pandeminë për karrige siç bën Edi Rama. Mund të imagjinoni ju keqpërdorim më të madh. Lajmi i djeshëm, kryeministri Rama shkoi në Fier për të inspektuar vaksinimin. Një injorant që s’ka asnjë njohuri, as në virologji, as në mjekësi dhe të deklarojë se po inspekton. Për njeriun që nuk e di çfarë është turpi, ai e bën këtë”, tha Berisha.
Më tej, Berisha shtoi se me ritme të tilla Shqipëria do të zërë vendin e dytë në botë për numrin e të vdekurve nga Covid. Sipas ish-kryeministrit, shumë shpejt do të dalin statistikat ku tregpjnë se në Shqipëri kanë humbur jetën 10 mijë qytetarë.
Lexo edhe: Berisha në ABC: Kam kaluar Covid, vaksinën do e bëj kur të më vijë radha
“Ju dini që Shqipëria po u afrohet 10 mijë të vdekur më shumë se nga marsi i viti 2020 në mars 2019. Ju garantoj se aktualisht është e dyta në botë pa Perusë, por me këto ritme do të dalë e dyta në botë. Disa muaj më parë kolegë tuaj më tregonin ja gjendja në Kosovë. Sot Kosova ka dy herë më pak se Shqipëria vdekje nga pandemia. Maqedonia dhe Kosova kanë tre herë më shumë shtretër për Covidin. Duhet të kishte mbaruar vaksinimin e bluzave të bardha. Pavarësisht se gënjen sot janë me qindra dhe qindra bluza të bardha në sektorin stomatologjisë, mjekësinë ushtarake që presin vaksinë. Janë përdorur për qëllime të pushtetit. Vrapo të vaksinohej i pari, ndërsa tre ditë më parë vdiq një nga mjekët më të mirë Geri Hysi sepse vaksinë e tij e mori Edi Rama.
Gjatë javëve të fundit kanë vdekur katër mjekë. Urdhri i Mjekëve deklaroi se kanë vdekur 40 mjekë. Nuk shpreh një keqardhje për këto vdekje por këndon sukses dhe mburret në mënyrën më makabre.
Shqipëria është në zi ka humbur deri në 10 mijë më shumë se një vit më parë, do dalë statistika shpejt. Buzëqesh Edi Rama, sepse mbin këtë batërdi kufomash të paraqitet i suksesshëm. Por këtë s’ka shqiptar që e përtyp. Ky është quajtur viti i tmerrit dhe për Edi Ramën viti i buzëqeshjes”, deklaroi Berisha. g.v/abcnews.al