“Mos u kruaj me Galaktikët”, si e pësonin trajnerët te Real Madrid

schedule22:21 - 17 Qershor, 2022

schedule 22:21 - 17 Qershor, 2022

Roberto Carlos ka qenë një nga mbrojtësit më të mirë në historinë e futbollit. Braziliani, të cilit i trembeshin shumë prej gjuajtjes së fuqishme, ka dhënë një intervistë për Vitor Baia në një televizion në Portugali para pak kohësh dhe tregonte se si “ua hanin kokën” trajnerëve, kur dilnin jashtë asaj që “Galaktitkët” donin.

VICENTE DEL BOSQUE – Carlos ka fjalë të mira për Del Bosque. Ai e drejtoi Realin ne periudhën 1999-2003 dhe tekniku spanjoll u ka shkuar sipas “fijes” lojtarëve të Realit në atë periudhë. “Ai ishte më shumë si një mik. Nuk ke nevojë për rregulla. E dinim në mënyrë perfekte çfarë donte. Stërvitja të hënën ishte në 17:00, ndonjëherë edhe të martën. Ai nuk ka kërkonte të shkonim në 11:00, sepse praktikisht askush nuk shkonte”, tregon ish-mbrojtësi.

VICENTE DEL BOSQUE

JOSE ANTONIO CAMACHO – Vetëm 22 ditë në krye të Realit kur e mori drejtimin në vitin 1998. Camacho donte të tregonte kush komandon, por futbollistët nuk i kishte me vete.  “Gjatë epokës së Galaktikëve ishin shtatë nga ne dhe u krijua një situatë e rrezikshme në dhomat e zhveshjes. Gjithmonë e kishim menaxhuar mirë situatën, shkonim mirë, por Camacho nuk e bëri dhe zgjati vetëm 10 ditë.

Erdhi në dhomat e zhveshjes, na tha ‘përshëndetje’ të gjithëve dhe ishte shumë serioz. Një njeri me shumë histori te Reali. Më pas tha: ‘Ju dua të gjithëve në fushë nesër në 7:00 të mëngjesit’. Ne zakonisht stërviteshim në 10:30. Folëm me të dhe u përpoqëm ta bëjmë të ndryshojë orarin. Ne kishim zakonet tona”, deklaron braziliani.

VANDERLEI LUXEMBURGO – Florentino Perez i dha mundësinë të drejtonte Realin edhe Luxemburgos. Roberto Carlos tregon: “E njëjta gjë ndodhi edhe me të. Kishim zakon të linim çantat në hotel dhe të shkonim për ndonjë birrë, ose të pinim ndonjë gotë verë gjatë darkës. Ishte vetëm ndeshja e dytë e sezonit. Gjithmonë kishte dy shishe vere në tavolinë dhe unë e Ronaldo i thamë:

‘Profesor, njerëzit këtu kanë zakonet e tyre. Do i shihni ato, por mos u përpiqni t’i ndryshoni. Mos i hiq shishet e verës nga tavolina, ose të ndalosh birrat para darkës. Nëse  bën, do e gjesh veten në telashe’. Çfarë bëri ai? Fillimisht hoqi verën, më pas ndaloi birrat. Qëndroi vetëm tre muaj. Bota e futbollit është e vogël dhe drejtorët dëgjuan prej tij vetëm një ‘mirë u pafshim’”. /abcnews.al

VANDERLEI LUXEMBURGO