Tre oficerë të lartë të Policisë së Elbasanit po hetohen nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat për dy vepra penale, shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Ata dyshohen se kanë sinjalizuar porositësit e dy vrasjeve të ndodhura në korrik të 2020-ës në këtë qytet. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije për ABC se bëhet fjalë për ekzekutimin e Emiljano Ramazanit dhe mikut të tij Regis Runajt.
Tre oficerët e policisë dyshohet se kanë marrë deri në 10 milionë lekë të reja për të informuar rreth fakteve që zbuloheshin gjatë hetimeve për këto krime. Aktualisht ata nuk janë më pjesë e Policisë së Elbasanit, por janë transferuar në qytete të tjera.
Në gusht të 2020-ës, policia arrestoi dy të rinj nga Elbasani, Xhuljano Hoxha dhe Eugen Halili, si autorë të dyshuar të vrasjes së Emiljano Ramazanit, si dhe të Regis Runajt, ngjarje të ndodhura më 20 dhe 29 korrik të vitit të kaluar.
Ndërsa në Shtator të 2020-ës, zyrtarisht Policia e Elbasanit deklaroi se porositës i dy vrasjeve ishte Erjon Alibej. I njohur edhe me emrin Andrea, ai u arrestua më 18 shtator me akuzën vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim.
Erjon Alibej është vëllai i Indrit Alibejt, të ekzekutuar në Elbasan në Dhjetor të 2018-ës. Seriali i ngjarjeve dyshohet të ketë ndodhur për prishjen e pazareve të drogës.
/abcnews.al/