Mëngjesin e të premtes, specialistët e Institutit të Ndërtimit nisën testimin e strukturës së pallatit të shkatërruar si pasojë e shpërthimit të fuqishëm që ndodhi të mërkurën në Elbasan.
Raporti i dytë i tyre do të vendosë çfarë do të ndodhë me këtë pallat.
Përpara Bashkisë së Elbasanit, e cila do t’i japë zgjidhje problemit, ka dy alternativa: shembja e pjesshme e godinës ose shembja e plotë e saj.
Për këtë duhet parë fillimisht nëse paraqesin rrezik dy katet e para.
Nëse struktura është e sigurt mbi to mund të ndërtohet pjesa tjetër e apartamenteve, në të kundërt godina do të shembet e gjitha dhe do të ndërtohet nga e para në të njëjtin truall dhe banorët do të përfitojnë sipërfaqet ekzistuese të banimit.
Raporti i parë i Institutit të Ndërtimit e klasifikoi këtë pallat si të pabanueshëm për shkak të pasigurisë që paraqet.
15 familje mbetën të pastreha. Bashkia e Elbasanit ka çelur aplikimet për bonus qiraje për banorët e dëmtuar. Ndërkohë, një pjesë e familjeve të cilat nuk kishin ku të qëndronin pas ngjarjes u sistemuan në konviktin e qytetit.
Si pasojë e shpërthimit humbën jetën dy persona dhe mbetën të lënduar 10 të tjerë. Shkaku i tij vijon të jetë ende në hetim, ndërsa policia dyshon se shpërthimi dhe më pas zjarri erdhën nga një rrjedhje gazi në katin e tretë, në apartamentin e 69-vjeçarit, i cili u gjet i pajetë.


