Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, u shfaq pak momente më parë në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të duelit me Napolin. Tekniku italian vlerëson kundërshtarin si një nga ekipet më të mira të Serie A, por thekson se ai dhe ekipi kurrë nuk e kanë humbur besimin. Gjithashtu, ai u ndal dhe tek lojtarët, në veçanti tek Ibra e Kessie.
NAPOLI – “Ata luajnë një futboll të mirë, kanë cilësi dhe janë një ekip i bashkuar. Do të jetë një lojë e komplikuar, sepse Napoli është një nga skuadrat më të mira në Serie A. Duhet të përqendrohemi sa më shumë. Është një mundësi kundër një kundërshtari të fortë që gjithmonë na shkakton probleme. Duhet të lëvizim edhe kur nuk e zotërojmë topin”.
BESIMI TEK EKIPI – “Ne vetëm e hoqëm këmbën nga gazi në duelin me Spezian, por asnjëherë nuk na ka munguar vendosmëria në ndeshjet e tjera. Unë stërvis një grup lojtarësh të përgjegjshëm dhe mund të mbështetem tek ta. Nëse luajmë si ekip dhe bashkëpunojmë mund të bëhemi më të fortë. Asnjëherë nuk e kemi humbur besimin tek vetja. Një gabim nuk mund të na lejojë të hedhim poshtë punën e bërë. Thjesht duhet të jemi më solid”.
IBRAHIMOVIC DHE LEAO – “Zlatan është drita jonë e ndritshme, por Milani varet nga stili ynë i futbollit. Ka shumë lider këtu, sepse kemi një identitet dhe mënyrë të saktë të lojës. Leao është përmirësuar për sa i përket qëndrueshmërisë përgjatë 90 minutave. Unë pres shumë prej tij, ai punon pët ekipin dhe qëllimet e tij do të arrihen me kohën”.
KESSIE DHE MEITE – “Franck i meriton meritat, pasi punon shumë çdo ditë. Ai është mendërisht i fortë, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar shokët e skuadrës si dhe për të bërë e thënë gjënë e duhur. Është bërë me të vërtetë një lojtar shumë i rëndësishëm. Meite është mësuar me një stil tjetër nga i joni, por po mësohet e ka zhvilluar disa paraqitje të mira. Tonali është rikuperuar gjithashtu dhe mendoj se mund të luajë nesër”, përfundon Pioli. /abcnews.al