Gjermania arriti një fitore të vështirë dhe me fat ndaj Perusë, duke mos bindur. Kritikat nuk munguan për futbollistët dhe trajnerin Joakim Low.
Tifozët nuk është se mbetën edhe aq të kënaqur.
Një publik i mësuar me ekipe që dolën katër herë kampionë të botës, s’mund të jetë i lumtur me një fitore të dobët si kjo ndaj Perusë.
Kush ishte lojtari më i mirë i ndeshjes, u pyetën, por përgjigjet ishin gjysmë tallëse.
Skuadra e trajnerit Joakim Low, pas shenjave të mira që dha në barazimin me Francën, ishte sërish jobindëse.
Jo vetëm sepse pësoi gol shumë shpejt dhe u ndodh në dizavantazh.
Gazeta “Bild”, gjithnjë kritike, nuk është se e kurseu shumë “nationalmanshaftin”.
“Së pari, – shkruan ajo, – ne humbim shumë raste (Reus, Ginter, Gundogan) dhe kjo do të na kushtojë.
Së dyti, jemi sërish dobët në mbrojtje.
Katërshja Ginter-Sule-Boateng-Shulz nuk duket e harmonizuar, dhe ashtu si në Botëror, në sulmin e parë serioz të rivalit, pësojmë gol”.
Për fat, 22-vjeçari Julian Brandt barazoi shpejt.
Futbollisti i ri i Leverkusenit ishte padyshim më i miri për gjermanët, një element që do t’i bëjë punë Joakim Low në të ardhmen.
“Ne jemi ende si një punë në kryerje e sipër, – u shpreh trajneri pas sfidës në Hofenhajm, – ekulibri ynë nuk është ende në 100 për qind, por unë jam shumë i kënaqur që ekipi nuk u dorëzua deri në fund. Ne deshëm të fitonim dhe fituam, por humbëm shumë raste”.
U desh goli i Niko Shulzit 25-vjeçar në minutën e 85-të që të arrihej një fitore e vuajtur dhe aspak e bukur.
Gjermania mori një fitore me fat, por Low do t’i duhet ende shumë punë që ekipi të arrijë në nivelet e mëparshme.
Të paktën, ka lajme të mira nga financat, pasi Federata rinovoi kontratën me Adidasin deri në vitin 2026./abcnews.al